Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj hodhi akuza ndaj maxhorancës, duke theksuar se ata nuk janë armiq të vendit, por qytetarë që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar kundër qeverisë.
Ai tha se në Kuvend u shfaq një “skenë cinike dhe makabre”, duke shtuar se disa ministra u zgërdhinë ndërsa jashtë ndodhen qytetarët që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Gjekmarkaj u shpreh se qytetarët kanë shumë arsye për të qenë të revoltuar dhe se protesta është një tregues i shëndetit të demokracisë.
“Gjatë kohës që Grupi Parlamentar i PD iu kërkoi që të ndërhynit pranë qeverisë që protestuesit të trajtoheshin me dinjitet, u shfaq këtu sa cinike dhe që makabre kur një pjesë e ministrave u zgërdhinë në një kohë kur ata jashtë nuk janë armiq të Shqipërisë, por qytetarë të Republikës që protestojnë për një Shqipëri më të drejtë e të ndershme, dhe kanë një mijë arsye për të qenë të zemëruar. Ajo është fuqia e të shtypurve. Cilësia e protestës është edhe cilësi e demokracisë.
Po iu siguroni atje përgjakje. Lamallari të japë këtu shpjegime për substancat që përdoren kundër tyre dhe po iu shkakton djegie trupi. Është në nderin tuaj që të garantohet cilësia e protestës. Ata janë qytetarë që kanë të drejta kushtetuese për të protestuar. Kanë vetëm dy zgjedhje, që të ikin nga vendi, dhe e dyta të jetojnë si qytetarë të nënshtruar.
Kanë vendosur të jetojnë si qytetarë të rebeluar për një Shqipëri ku partia dhe shteti nuk janë një, ku nuk pengohet drejtësia, nuk triumfon korrupsioni dhe kur banaliteti nuk është fytyra e qeverisë. “, tha Gjekmarkaj.
© Panorama.al












