Një 42-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendor.
Sipas policisë, e reja është paraqitur në Komisariatin e Lushnjës së bashku me dy familjarë dhe, në prani të psikologut, ka kallëzuar ngjarjen e ndodhur më 22 korrik 2026. Pas veprimeve hetimore, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Saimir Meçani, 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar në flagrancë edhe Demir Ymerin, 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares. Ai dyshohet se, gjatë kohës që motra e tij po jepte kallëzimin në komisariat, ka djegur me lëndë djegëse automjetin e nënës së 42-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e Saimir Meçanit dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendor, shpallet në kërkim 42-vjeçari.
Në Komisariatin e Policisë Lushnjë, është paraqitur bashkë me 2 familjarë të saj, një shtetase 27 vjeçe me probleme të shëndetit mendor, e cila ka kallëzuar në prani të psikologut, se më datë 22.07.2026, një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kryen veprimet hetimore dhe procedurale për rastin dhe në vijim shpallën në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi D. Y., 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares, pasi gjatë kohës që motra e tij po kallëzonte në ambientet e Komisariatit, dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e nënës së 42-vjeçarit, autorit të dyshuar.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. M. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












