Protesta kombëtare e opozitës ditën e “Sulltan Novruzit”, deputeti Boçi shpjegon pse u zgjodh 22 Marsi: Datë e shenjtë, zemërimi nuk ka pushim

Mar 12, 2026 | 15:23

Opozita shqiptare do të mbajë protestën kombëtare të radhës më 22 mars, e deklaruar sot nga kreu i saj, Sali Berisha.

luciano boci3

Ora nuk është caktuar ende dhe as detajet dhe strategjia, por deputeti Luçiano Boçi dha disa shpjegime përse u zgjodh pikërisht data 22 mars, kur festohet edhe Sulltan Novruzi. Ai shpjegoi se data ishte silmbolike dhe e “shenjtë” për PD-në.

“Përse u zgjodh kjo ditë? Dita është historike, sikurse është edhe ditë e shenjtë. I bashkon të dyja. Është 22 marsi, vendosja e sistemit demokratik në vend, i cili sot ka marrë goditje fatale nga partia komunisto-socialiste-rilindase. Duhet patjetër reagim. Është 22 marsi, fitorja e demokracisë. Një sistem u rrëzua, i cili sot ka marrë goditjen fatale dhe finale, sepse PS nuk ka më. E patjetër duhet të ketë reagim. Nëse duhet të themi se protesta duhet të respektojë ditën, atëherë ajo humbet kuptimin e vlerën e saj”, u shpreh ligjvënësi demokrat për “News 24”.

Boçi nuk zbardhi detaje nga skenarët që do zbatohen, nëse do të ketë përplasje me Policinë apo nëse do hidhen molotovë. Por ai tha se protestat nuk kanë as ditë dhe as datë, sepse kanë të bëjnë me zemërimin qytetar dhe me sensin përse zhvillohen.

“Po të ecim me idenë që protesta duhet të respektojë pushimin, ajo humbet sensin dhe kuptimin. Do të bashkojmë shenjtërinë e kësaj date me anën historike të saj dhe do t’u bëjmë thirrje qytetarëve. Nuk ka një moment kur zemërimi bën pushim dhe një ditë tjetër kur zemërimi është në punë. Zemërimi është çdo ditë dhe, kur çështja nuk zgjidhet, ai vijon me forma të ndryshme. Zemërimi vazhdon dhe rritet, nuk ka zemërim që ngrihet dhe pastaj bie. Zemërimi sa vjen dhe rritet, është aty”, vijoi deputeti demokrat.

I pyetur për orën e protestës, ai tha se do caktohet në vijim nga selia blu:

“Ora nuk është vendosur akoma për protestën kombëtare të radhës, por vetëm data, sepse ora do caktohet në vijim”.

Sipas tij, protesta nuk mund të kufizohet apo të shtyhet për shkak të festave, pasi pakënaqësia qytetare, siç tha ai, është e vazhdueshme dhe nuk njeh pushim.

Opozita ka paralajmëruar se protesta e 22 marsit do të jetë pjesë e aksionit të saj politik kundër qeverisë, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në tubim.

© Panorama.al

Te lidhura