“Nuk negociohet me revolucionin” – Aktivisti Lika: Protesta ka nevojë të dëgjohet! Kush mendon se do ta përfaqësojë e ka gabim! Përfaqësuesit e saj janë në shesh

Jul 18, 2026 | 20:11

Përfaqësuesit e protestës kundër qeverisë së Edi Ramës janë vetëm në shesh. Kështu deklaroi aktivisti Edison Lika teksa mori fjalën në hapje të ditës së 49-të të protestës përpara Kryeministrisë, duke theksuar se kushdo që mendon se me protestën mund të negociojnë nëpër zyra e kanë gabim.

Aktivisti Lika deklaroi se protesta ka nevojë për t’u dëgjuar dhe se me revolucionin e tyre nuk mund të negociohet.

“Çdokush që pretendon se me këtë protestë mund të negociojnë nëpër zyra e kanë gabim. Me këtë protestë negociohet vetëm në shesh. Kush mendon se mund ta përfaqësojë këtë protestë, e ka gabim sepse përfaqësuesit e kësaj proteste janë në shesh.

Kjo protestë nuk ka nevojë për përfaqësi, ka nevojë për t’u dëgjuar dhe për zgjidhje. Nga qytetarët pjesëmarrës dëgjoj termin revolucion. A mund të negociohet me revolucionin. Duhet ta dinë mirë se revolucioni ka ndodhur. “, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura