Nga protesta e sotme, aktivistja Luçiana Kokaj i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për grabitjen e pronave që janë bërë në Rrjoll, ku do të ndërtohet një resort turistik.
Banorja e Rrjollit deklaroi se duhet të jetë SPAK që duhet ta marrë dosjen në dorë, sepse sipas saj, është vepruar si një grup i strukturuar kriminal.
“Kemi dorëzuar për të 4 herë padi në SPAK për masakrën që po bëhet në Rrjol. E dini përgjigjen? Delegohet në Prokurorinë e Shkodrës për moskompetencë. SPAK është institucion për të hetuar organizatat kriminale. Gjyqtarët e korruptuar, zyrtarët e banda kriminale që janë bërë të bashku për të grabitur një fshat të tërë.
Rrjol është një zonë e mbrojtur, nuk duhet të ndërtohet. Nuk mund të lejojmë që oligarkët të vijnë dhe ngrenë resorte aty duke bërë pazare me ish drejtorë hipoteke, me ministra dhe ish zv kryeministra në kurrizin e qytetarëve.
Këta ndërtojnë resorte duke shkelur banorët autoktonë dhe duke tentuar të modifikojnë historinë. I bëj thirrje SPAK të hapë dosjen e Rrjolit se do të gjejë prokurorë dhe zyrtarë të lartë të korruptuar. E tjetërsuan pronën duke vendosur mbiemrin e tyre. Jemi mbi 100 familje që nuk qenkemi pronarë?”, tha ajo.
© Panorama.al











