Gazetari Osman Stafa, duke folur për gjendjen e sistemit shëndetësor, deklaroi se duhet të bëhet një ligj që detyron zyrtarët të mjekohen në spitalet shqiptare dhe jo të largohen jashtë.
Teksa mori fjalën në protestë, ai theksoi se pushtetarët, kur kanë probleme të tyre shëndetësore, marrin para nga buxheti i shtetit dhe kurohen jashtë. Ai përmendi gjithashtu edhe Spitalin Onkologjik, duke e cilësuar si më kriminalin të mundshëm pasi mungojnë medikamentet dhe pajisjet për personat që vuajnë nga kanceri.
“Në QSUT, në urgjencë ku shkojmë ka një skaner që punon prej 30 vitesh. E kanë lyer për t’u dukur si i ri. Nuk punon dhe pacientët sorollaten për të shkuar te privati. Shkojnë në urgjencë në QSUT dhe përfundojnë te privati.
Onkologjiku është spitali më kriminal i mundshëm, mungojnë medikamentet, dy muaj janë dy muaj jo. A trajtohet kanceri kështu? A trajtohet sipas oreksit të tyre? Vetë marrin para nga buxheti i shtetit dhe ikin në spitalet e huaja.
Pse nuk qëndrojnë këtu te spitalet publike kur kanë halle. A e dini se si rregullohen spitalet. Për shtetarët nëse kanë problem të bëhet ligji që të kurohen te spitalet shqiptare dhe do ta shikoni a do t’i rregullojnë apo jo. “, tha ai.
© Panorama.al











