Protesta te Fakulteti Ekonomik: Hiqni stazhin

Oct 11, 2011 | 10:44

E kanë nisur me protestë ditën e parë të vitit akademik studentët e Fakultetit Ekonomik. Ata kërkojnë heqjen e stazhit duke e cilësuar krejtësisht të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kartën e Bolonjës. “Megjithëse sistemi që pretendohet se aplikohet në fakultetet tona është ai i Bolonjës, i cili nuk e përmend në asnjë vend stazhin, në Fakultetin Ekonomik, një student, nëse ka mbetur në më shumë se 5 provime, humb të drejtën për të vazhduar studimet në vitin pasardhës. Kjo është e papranueshme”, thanë studentët. Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave në rast se kërkesat e tyre nuk gjejnë zgjidhje. “Ne do të vazhdojmë dhe më tepër, derisa kjo të marrë fund. Ndërsa ne të na jepet e drejta që na mohohet, deformohet, cenohet padrejtësisht. Le të buçasim në veshët e tyre të shurdhët: ‘Hiqni stazhin'”, thanë përfaqësuesit e studentëve.
I pyetur për këtë problem, dekani i Fakultetit Ekonomik, Omer Stringa, tha për gazetën se problemi nuk qëndron të stazhi, por te marrja e diplomave. “Studentët që protestojnë janë një grup studentësh që nuk kanë marrë diplomat. Ata duhet të shlyejnë të gjitha detyrimet që kanë ndaj fakultetit për t’u pajisur me to. Stazh nuk ka në fakultetin tonë”, tha Stringa. Sistemi i Bolonjës, si masë penalizuese, parashikon vetëm mosmarrjen e diplomës “Bachelor” në rast se përgjatë tri viteve nuk ke arritur të marrësh 180 kredite, por jo stazhin. “Është pikërisht Bolonja që ne zbatojmë dhe nuk ka asnjë kufizim tjetër”, tha Stringa.
Dje, në të gjithë vendin nisën studimet për herë të parë rreth 25 mijë studentë të rinj. Në sistemin me kohë të plotë në tri ciklet e studimit nisën shkollën e lartë 52 mijë studentë. Ndërkohë kanë mbetur edhe 2000 kuota bosh në shkollat e larta. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka bërë me dije se brenda kësaj jave pritet të publikohet formulari A3, me anë të të cilit do të plotësohen këto kuota. Dje, Universiteti i Tiranës organizoi një ceremoni të veçantë ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Rektori i Universitetit të Tiranës, së bashku me dekanët e këtij institucioni, thanë se kampusi universitar do të ishte e vetmja zgjidhje për të përmbushur mangësitë me auditorë që sot kanë fakultetet. “Godina e ish NPV-së është bërë pronë e Universitetit të Tiranës. Pra, na është shtuar një ambient dhe zgjidhja përfundimtare do të jetë ajo e kampusit që do ndërtohet këtu pranë nesh”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Edhe për këtë vit akademik, në pjesën më të madhe të fakulteteve do të bëhet mësim me turne, pasi mungojnë auditorët. Veç tyre, nuk është marrë asnjë masë për shtimin e pedagogëve të rinj, as për Universitetin e Tiranës, që është më i madhi në vend.

Basha: Fond një milion euro për punësimin e studentëve
Fond një milion euro për praktikat profesionale pas diplomimit, përfshirjen e godinave studentore në planin urbanistik dhe hartim të kartës së studentëve. Këto janë tri premtimet që  kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, bëri dje në çelje të vitit të ri akademik. Sipas tij, frytet e partneritetit të ri mes Bashkisë që ai drejton dhe komunitetit universitar do të shihen brenda një kohe të shkurtër. Në ceremoninë e mbajtur enkas në Universitetin e Tiranës, rektori Dhori Kule dhe  dekanët e fakulteteve shprehën vullnetin për të bashkëpunuar në funksion të cilësisë së jetës akademike në kryeqytet. “Nuk ka krenari më të madhe për mua si kryetar i Bashkisë, se sa të them se në qytetin tim ka mbi 54 mijë studentë dhe mbi 5000 staf pedagogjik. Kjo pasuri e jashtëzakonshme është edhe një energji e madhe në planet e zhvillimit të qytetit të Tiranës”, tha Basha. Sipas tij, ndërtimi i një kampusi universitar është një tjetër prioritet madhor. “Bëhet fjalë për një nga kampuset më moderne, ku jo vetëm të mësohet mirë, jo vetëm të shijohet jeta studentore, si pjesë e pandarë e eksperiencës studentore, por edhe të hidhen hapat e parë në urën e rëndësishme që lidh botën akademike me botën e punësimit”, tha Basha.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura