Protesta e fermerëve grekë, pritet të bllokohet sërish për disa orë aksi Kakavijë – Janinë

Dec 16, 2025 | 10:22

Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të bllokohet sërish mbrëmjen e kësaj të marteje për shkak të protestës së fermerëve në Greqi.

protesta e fermereve ne greqi

Autoritetet bëjnë me dije se aksi do të bllokohet në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, nga ora 19:00 deri në 22:00 me orën greke.

Bëhet me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i automjeteve për emergjenca shëndetësore.

Kujtojmë që Greqia është “paralizuar” prej më shumë dy javësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.

Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

© Panorama.al

Te lidhura