Partia Demokratike do të zhvillojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar më 17 dhjetor në orën 17:00.
Mbledhja është vendosur gjatë takimi të një ditë më parë të Kryesisë, ndërsa diskutimet do të fokusohen te situata politike, qëndrimet e PD dhe protesta e 22 dhjetorit e demokratëve që u njoftua më herët.
Ndërkohë, mbledhja e një ditë më parë e kryesisë është shoqëruar me debate të forta, sidomos mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit.
Ndërkohë Berisha sot tha se nuk ka përçarje në Partinë Demokratike, por theksoi se disa të quajtur demokratë bëjnë zhurmë në favor të Edi Ramës.
“Ju siguroj se mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Nuk ka një përçarje, ju garantoj. Po, pas zgjedhjeve pati disa te quajtur demokratë që hanë turpin me bukë dhe vrapuan u punësuan në administratën e krimit. Pati të tjerë të cilët vendosën të mos merren më me politikë, por të ndjekin jetën e tyre. Pati të tjerë që flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë. Unë dua tu them ju që kjo parti ka dhe do ketë vetëm një qëllim, idealin e lirisë, rikthimin e votës së lirë. Kjo parti nuk do të qëndrojë për kontratat e asnjeriu. Kontrata jonë është me qytetarët, për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë. Ndaj asnjë shqetësim nuk duhet të kesh. Ata që zgjedhin për tu bërë zhurmues në favor të Edi Ramës, duke mashtruar, duke manipuluar elemente që kanë punuar haptas ndaj PS dhe deputetëve të PS. Madje kanë dalë edhe kandidatë në bashkinë e Tiranës kundër kandidatëve të PD, ata janë falls, nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet tona. Kjo është koha e misionarëve”, tha Berisha.
© Panorama.al












