
Një i vrarë dhe katër të plagosur dje në Gjykatën e Lezhës, si pasojë e konfliktit në sallën gjyqësore të palëve për pronat afër bregdetit të Shëngjinit. Ndërsa zhvillohej seanca ndërmjet Mhill Ndreut (ish-kryetar i PD-së së Lezhës) dhe dy vëllezërve, Nikolin dhe Dedë Deda, nga Shëngjini, mes të afërmve të palëve ndërgjyqëse ka nisur debati. Pas fyerjeve të ndërsjella, konflikti precipitoi me të shtëna armësh. Në fakt, versionet e Policisë dhe të dëshmitarëve janë kontradiktore përsa i përket vendit ku ka ndodhur ngjarja e rëndë. Sipas dëshmitarëve, të shtënat e armës kanë nisur që në sallën e gjyqit. Mësohet se Mhill Ndreu shoqërohej nga nipi i tij, Endri Betaj, 38 vjeç, nga fshati Abat i Shkodrës, si dhe shoku i këtij të fundit, Sokol Sejdia, 30 vjeç, nga Tirana. Ndërsa vëllezërit Nikolin dhe Dedë Deda shoqëroheshin nga djali i Nikolinit, Alban Deda, 38 vjeç, nga fshati Ishull, Shëngjin, dhe Arben Nikulaj. Sipas burimeve, seanca ka nisur në orën 09:00 në drejtimin e gjyqtares Parashqevi Ademi. Palët kanë nisur të konfliktohen me njëra-tjetrën. Në këtë moment, Endri Betaj ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar Alban Dedën dhe Arben Nikulajn. Ky i fundit ka qëlluar mbi Endri Betajn duke e plagosur rëndë atë. Situata është rënduar dhe palët kanë nisur të qëllojnë duke ndjekur njëri-tjetrin më pas në korridorin e Gjykatës. Shtetasi Sokol Sejdia, i cili shoqëronte ish-kreun e PD-së së Lezhës në këtë seancë, ka qëlluar në drejtim të Alban Dedës dhe Arben Nikulajt, duke i plagosur edhe ata me pistoletë. Të plagosurit janë kundërpërgjigjur duke qëlluar në ambientet e korridoreve edhe Sokol Sejdinë, nga Tirana. Të shtënat çuan në vend efektivët e gjykatës, të cilët ndërhynë duke neutralizuar situatën e rëndë, ndërsa vendi ishte i përgjakur që nga salla e gjyqit e deri në korridor. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës, por Endri Betaj ndërroi jetë gjatë rrugës. Në korridorin e Gjykatës është plagosur edhe 75- vjeçari Mark Ndreu nga Rubiku, i cili ka qenë i ulur në stol. Burime nga Gjykata bënë të ditur se familja Deda kishte paditur Mhill Ndreun, nga ku sipas pretendimeve të tyre, ai kishte ndërtuar një lokal e hotel në pronën e tyre. Ndërkaq, Policia e Lezhës bëri të ditur dje se ngjarja nuk ka ndodhur në ambientet e Gjykatës, por në oborr të saj. Ndonëse salla ku mbahen seancat gjyqësore ishte mbuluar me gjakun e viktimave, Policia konfirmoi zyrtarisht se gjithçka mes palëve në konflikt ka ndodhur kur ata ndodheshin jashtë. “Rreth orës 09:30, në oborrin e Gjykatës ka pasur konflikt me armë zjarri, ku gjeti vdekjen Endri Betaj dhe u plagosën shtetasit Arben Nikulaj (Marku), banues në Balldre-Lezhë, Alban Deda, banues në Lezhë, Sokol Sejdia, 43 vjeç, banues në Tiranë, i cili është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Gjatë konfliktit u plagos nga një rikoshetë plumbi edhe shtetasi Mark Ndreu, vjeç 75, i cili ka qenë në oborrin e Gjykatës dhe nuk ka lidhje me konfliktin”, thuhej në komunikatën e Policisë. Edhe kryetarja e Gjykatës së Lezhës mohoi dje që ngjarja të ketë ndodhur në sallën gjyqësore.
ARRESTIMI
Policia e Lezhës bëri të ditur mbrëmë se ka arrestuar shtetasin Mhill Ndreu, ndërsa pritet të kryhet edhe arrestimi i personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt, të cilët për momentin janë të plagosur. Madje mësohet se gjendja e tyre është mjaft e rëndë dhe ende nuk është konfirmuar nëse ata e kanë kaluar rrezikun. Gjithashtu janë shoqëruar edhe persona të tjerë të pranishëm në konflikt, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë që shkaktoi vdekjen e një personi e plagosjen e katër të tjerëve.
GEZHOJAT
Forca të shumta të policisë dhe ekspertë të kriminalistikës të ardhur nga Tirana mbërritën dje në vendin e ngjarjes. Burime në vendngjarje bënë të ditur se janë gjetur gëzhoja të më shumë se dy armëve, të pistoletave të përdorura. Blutë nuk dhanë detaje mbi mundësinë e futjes së qytetarëve në ambientet e gjykatës të armatosur, duke qenë se në versionin zyrtar të saj Policia ka mohuar që ngjarja e rëndë të ketë ndodhur brenda në sallën e gjyqit. Spitali i Lezhës dje ishte i rrethuar me forca të shumta për të shmangur incidente të tjera të mundshme.
Gjykata: Gjykimi civil në fazën përgatitore
Gjykata e Lezhës mohoi dje që vrasja e një personi e plagosja e katër të tjerëve të ketë ndodhur në ambientet e brendshme të këtij institucioni. Në njoftimin zyrtar që mban emrin e kreut të kësaj gjykate, Fjoralba Prifti dhe të kancelarit Luan Gega, thuhet se “në orën 09:00 të ditës së sotme (dje), në ambientet e Gjykatës po zhvillohej një gjykim civil në fazën përgatitore të çështjes. Gjatë kohës që po zhvillohej seanca, ende pa përfunduar ajo, të afërm të palëve, të ndodhur në oborrin e gjykatës, janë përplasur me armë. Dy persona të plagosur gjatë konfliktit janë ndihmuar nga punonjësi i sigurisë së gjykatës për t’iu shmangur sulmit të mëtejshëm duke penguar personat e armatosur të futen në ambientet e gjykatës. Punonjësi i Policisë së Shtetit ka ndërhyrë duke i hequr armën njërit prej personave të armatosur, ndërkohë që gjyqi është ndërprerë për shkak të situatës së krijuar. Një burrë i moshuar që po qëndronte në ambientet e jashtme të gjykatës, në pritje të fillimit të një seance gjyqësore, ka marrë plagë me armë. Policia mbërriti në vendngjarje dhe stafi po bashkëpunon me të për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Çështja gjyqësore për shkak të së cilës mendohet se ka ndodhur konflikti është paraqitur para pak kohësh në gjykatë dhe ditën e sotme ishte caktuar seancë për të kryer veprime përgatitore. Shqyrtimi i çështjes në themel nuk kishte filluar ende. Gjykata e dënon këtë ngjarje shumë të rëndë dhe u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të respektojnë dhe mbështesin institucionet në ushtrimin e veprimtarisë së tyre kushtetuese”, thuhej ndër të tjera në njoftimin zyrtar të Gjykatës.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











