Pronat e Konomit, gjykata nis gjyqin për 275 hektarët

Oct 4, 2011 | 12:01
Skerdilajd Konomi

Gjykata e Tiranës nisi dje shqyrtimin e padisë së disa trashëgimtarëve të familjes Toptani për pretendimet e tyre mbi pronësinë e 275 hektarëve truall në Hamallaj. Bëhet fjalë për një sipërfaqe trualli në të njëjtën zonë kadastrale, ku Gjykata e Lartë i njohu pronësinë familjes së Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të vrarë me një shpërthim të komanduar më 9 shtator në Vlorë.    Nëntë paditësit, të cilët i përkisnin familjeve Toptani, Mullaj dhe Hamzaraj, i kërkuan dje gjykatës të detyrojë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të nxjerrë vendimin që u njeh atyre pronësinë mbi sipërfaqen 275 hektarë në Hamallaj. Familja Konomi nuk është palë në këtë proces, por persona të afërt me ta u vunë re të ishin si publik dje në sallën e gjyqit. Në publikun e sallës ishte edhe një përfaqësues i Ambasadës Amerikane. Përfaqësuesi ligjor i paditësve, avokati Tonin Prendi, pohoi para gjykatës se klientët e tij ia kishin kërkuar njohjen e pronësisë më 14 nëntor 2008, kur ata i ishin drejtuar Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Durrës. Më pas, me ndryshimin e ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, materialet e kësaj dosjeje janë transferuar nga Durrësi në Tiranë. Por, sipas avokatit, ndonëse kanë kaluar rreth dy vite e gjysmë që është depozituar, ende trashëgimtarët nuk kanë një përgjigje. Në vijim, avokati paraqiti një sërë provash shkresore për të provuar faktin se klientët e tij ishin trazhgimtarë të pronës. Po dje, avokati i paditësve i kërkoi gjykatës t’i vihej në dispozicion dosja nr.421, që mban datën 1 nëntor 2010, në të cilën ndodhet praktika e ndjekur nga AKKP-ja ndaj kësaj prone. Në përgjigje të kësaj kërkese, përfaqësuesi i AKKP-së në proces, Erkan Dollani, u shpreh se dosja është sekuestruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe momentalisht nuk mund t’u vihej në dispozicion palëve. Seanca u shty për në 5 dhjetor, ku do të dëgjohen prapësimet e AKKP-së. Paditësit e procesit të djeshëm janë të njëjtët me paditësit që “ngrinë” ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, që u njohu pronësinë familjarëve të gjyqtarit të vrarë në Vlorë. “Gjykata vendosi pezullimin e kryerjes së veprimeve juridike të tjetërsimit të pronës, përfshirë këtu pezullimin e veprimeve pranë ZVRPP Durrës, si dhe çdo veprim tjetër juridik që kufizon të drejtat e pronësisë deri në përfundim të shqyrtimit të padisë së themelit”, thuhej në vendimin e sigurimit të padisë, shpallur në korrik, në Gjykatën e kryeqytetit.

Letra e hapur
Pak ditë më parë, familja e gjyqtarit Konomi, të ekzekutuar në Vlorë, iu drejtua me një letër të hapur Presidentit të Republikës, ministrit të Drejtësisë, dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Veç zbardhjes së ngjarjes, familjarët kërkonin që procesi i djeshëm të zhvillohej i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Objekti i padisë
“Detyrimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë, për nxjerrjen e vendimit për njohjen e së drejtës së pronësisë prej 275 ha, të ndodhur në Hamallaj, Bashkia Sukth, në zonën kadastrale 1925 dhe 3241, me kufij: Veri – me Vijën e Mullirit të Ali bej Qorraliut e vëllezër; Jug-Pyllin e Rrushkullit të shoqërisë anonime E.I.A.A, duke filluar nga derdhja e hurdhës së Pepës në det, tuj rimat drejt lindjes deri ku puqet me kallam të Vorbes; Lindje – me hendek të Vorbes që e kufizon me pyllin e Zija Beut dhe Ramazan Lalën; Perëndim – me detin Adriatik, ku derdhet vija e mullirit deri në kufi të Rushkullit (kufizimet sipas dokumentit hipotekor)”, thuhet në objektin e padisë.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura