Pronarët kundër BB, Torro: Të mos ulet vlera e tokës

Oct 16, 2011 | 11:50
Sekretar i shoqates "Pronesi me drejtesi", Agim Torro

Raporti i Bankës Botërore për pronat, i publikuar pak kohë më parë, ka hasur në kundërshtimin e ish-pronarëve për rekomandimet që bëhen në lidhje me kompensimin e këtyre të fundit. Sipas raportit, propozohet që dëmshpërblimi të bëhet menjëherë, por në një vlerë më të ulët sesa vlera e pronës me çmimin e tregut, ose të futen në përdorim edhe bonot e privatizimit. Të gjendur para këtij rekomandimi, pronarët kanë kërkuar një takim me përfaqësuesen e Bankës Botërore në Tiranë, Ksenyia Lvovsky. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Torro, në një intervistë për gazetën, jep edhe detajet e këtij takimi dhe arsyet pse kundërshtohen rekomandimet e Bankës Botërore.
Pak ditë më parë, përfaqësues të shoqatës suaj zhvilluan një takim me përfaqësuesen e Bankës Botërore ne Shqipëri, Ksenyia Lvovsky. Cila ishte arsyeja e këtij takimi?
Po, para tri-katër ditësh ishim në një takim me shefen e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenyia Lvovsky. Banka Botërore ka prezantuar para pak kohësh një raport për zgjidhjen e çështjes së pronësisë në Shqipëri, dhe ky ishte një nga arsyet e takimit. Në fakt, ne kemi qysh në shtator që kërkojmë takime të herëpashershme me Bankën Botërore, dhe kjo pas raportit për pronat. Të skandalizuar para qëndrimit që bënte ky raport, ne kemi kërkuar me ngulm takim me përfaqësuesin e Bankës Botërore dhe, në pamundësi, morëm një takim me zëvendësen e saj, që ishte e vetmja titullare. Edhe ajo, meqë mbulonte të tjera fusha në zyrën e Bankës Botërore, nuk ishte në gjende të na shpjegonte se ç’ishte ky raport, nga ishte financuar dhe cili ishte qëllimi i tij. Ne kërkuam që të njoftohej qendra në Uashington rreth kësaj çështjeje dhe të na vihej në dispozicion materiali, kontaktet dhe studimi që kishte ndërmarrë grupi i punës që kishte hartuar këtë raport dhe të dhënat ku ishte vlerësuar dhe ishte dalë në rekomandime, në mënyrë që ne të ishim të informuar si pjesë e një grupi shumë të madh pronarësh. Njëkohësisht kërkuam që zonja Ksenyia Lvovsky, në takimin që do të zhvillonim dhe që zuri vend pak ditë më parë, të ishte e përgatitur që të përgjigjej për pyetjet dhe kërkesat tona për zgjidhjen e problemeve që ne kishim dorëzuar pranë BB. Megjithëse takimi u zhvillua të enjten, ne nuk morëm përgjigjen për çështjen tonë.
Cilat ishin disa nga pikat e diskutimit në takimin tuaj?
Në takimin tonë ne i shpjeguam që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë na jep të drejtën të kërkojmë shpërblim të drejtë sa u përket pronave që janë marrë në mënyrë të padrejtë nga shteti para 60 vjetësh. Na u konfiskuan me dhunë dhe pa shpërblim dhe Gjykata Kushtetuese shqiptare, shpërblimin e drejtë, qoftë përmes kompensimit të pronave që nuk na ktheu, qoftë për shpronësimin e pronarëve për shkak të ndërtimeve pa leje, e barazon me çmimin e tregut. Njëkohësisht, në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, politika shqiptare, prej më se 6 apo 7 vjetësh, ka marrë përsipër që kompensimi i subjekteve të shpronësuara nga moskthimi i pronës apo nga ndërtimet pa leje të bëhet me vlerën e tregut. I theksuam zonjës Lvovsky se kjo frymë e ligjshmërisë shqiptare ka kaluar jo njëherë, por disa herë në sistemin e drejtësisë shqiptare dhe është vlerësuar në favor të pronarëve. Po kështu edhe disa vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Sa i përket raportit, me cilat prej rekomandimeve të BB-së ju nuk jeni dakord apo i keni kundërshtuar?
Nuk është hera e parë që ne përballemi me Bankën Botërore për çështjen e pronave dhe vijmë sot në vitin 2011 sërish, ku BB kërkon të ndryshojë rregullat e lojës që tashmë janë vendosur dhe janë fituar nga pronarët. Ky është mesazhi që i transmetuam zonjës Lvovsky, duke i kërkuar që të na jepen mendimet që ishin dhënë nga ekspertët, por nuk na u dha asgjë. Në këtë pikë i hymë analizës së raportit të BB-së. Në rekomandimet që jepen për zgjidhjen e problemit krejt në mënyrë antiligjore, jashtë çdo norme dhe çdo lloj rregulli që është vendosur dhe pranuar në Shqipëri, na thuhet të rishikohet ligji për të kufizuar madhësinë e pronës që mund të merret në konsideratë për qëllimin e çmuarjes së vlerës së kompensimit. Po kështu, të bëhet rishikimi i ligjit për të rishikuar vlerën e kompensimit brenda një përqindjeje të vlerës aktuale të tregut të pronës, si dhe shumë rekomandime të tjera të kësaj natyre, që cenojnë interesat e shqiptarëve. Po në këtë raport thuhet se në mars të këtij viti, ky material është konsultuar me qeverinë shqiptare. Pra, pranohet në raport që qeveria shqiptare ka dhënë mendimin e vet rreth këtij raporti dhe me siguri ka qenë dakord me këto zgjidhje që rekomandon Banka Botërore. Jemi të sigurt që do t’i përdorë këto rekomandime për politikën e saj gjatë viteve 2011-2014, se ky raport kësaj i shërben. Kjo mënyrë e zgjidhjes së problemit duke u rekomanduar pronarëve vetëm kompensim, ka një kosto mbi 20 miliardë euro. Sot, kur mundësitë e shtetit shqiptar dhe asetet për të realizuar këtë borxh publik që e kanë marrë përsipër të gjitha partitë politike janë të pamundura, pasi shifra e këtij detyrimi kap vlerën e 20 miliardë eurove, shihet kjo zgjidhje. Duke i shtuar kësaj vlere edhe 10 miliardë euro të procesit të legalizimit, kjo shifër kap mbi 30 miliardë euro. Pikërisht këtë shifër kërkon BB-ja t’ua faturojë pronarëve dhe t’ia heqë si barrë qeverisë. Ne këmbëngulim që kjo është e papranueshme sepse kemi ligjin, Kushtetutën dhe vendimet që e detyrojnë shtetin të na kompensojë me çmimin e tregut.
Pse mendoni që qeveria do ta përdorë këtë raport dhe rekomandimet e tij kur në fakt ende nuk është shprehur një mendim?
Tani që erdhëm në fundin e lojës, kur qeveria shqiptare tregoi për 20 vjet paaftësinë e saj për t’u kthyer pronën pronarëve kur premtoi që do t’i kompensonte pronarët 100% në vlerën e tregut, kërkon një mekanizëm për të justifikuar dështimin e saj dhe e gjen çuditërisht këtë mekanizëm me zërin e Bankës Botërore. Ne i shpjeguam znj. Lvovsky se pasoja të kësaj situate janë mosrespektimi i të drejtave për ligjshmërinë që kanë zbatuar qeveritë shqiptare që nga viti ’90 deri sot. Ne, në fakt, kërkuam nga Banka që të na sqarohej se pse në raport nuk është dëgjuar edhe zëri ynë dhe është përgatitur vetëm me mbështetjen e qeverisë. Përgjigjja që morëm është se BB do të marrë dhe mendimin e masave (kur në fakt raporti është bërë publik ka kohë). Gjatë takimit me përfaqësuesit e Bankës Botërore ne patëm një debat të ashpër, pasi mendojmë që politikat e BB po çojnë në katër kriza shumë të mëdha.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura