Prokuroria: Të përsëriten letër-porositë për Kumbaron

Oct 13, 2011 | 12:45
Remzi Hoxha

TIRANE – Prokuroria këmbëngul në marrjen e dëshmisë me anë të letër-porosive të Ilir Kumbaros në Londër, Angli, një prej të akuzuarve të dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në seancën e djeshme në ngarkim të tre ish-eprorëve të Shërbimit Informativ, të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë zhdukjen e këtij të fundit, prokurori kërkoi marrjen e dëshmisë së Kumbaros. Njëkohësisht, përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi përsëritjen e letër-porosive drejtuar Gjykatës së Shkupit për të pasur vendimin e deklarimit të zhdukur të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Pak seanca me parë, në Gjykatën për Krimet e Rënda mbërriti një letër-porosi nga Londra, e pritur si letër-porosia me përgjigjet e ish-agjentit Ilir Kumbaro. Por, përmbajtja e letër-porosisë nuk ishte gjë tjetër veçse një refuzim i Ilir Kumbaros për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara ndaj tij. Kumbaro nuk kishte pranuar t’u përgjigjej pyetjeve, duke pretenduar se nuk ishte Ilir Kumbaro, por Shaqa Shatri. Referuar përmbajtjes së letër-porosisë, mësohej se Ilir Kumbaro nuk kishte pranuar t’u përgjigjej pyetjeve të shtruara në letër-porosi. Në atë seancë u mësua se Kumbaros i ishin bërë prezente pyetjet e mbërritura nga Shqipëria në një nga paraqitjet e tij në Policinë e kryeqytetit britanik. “Nuk jam unë ai. Jam Shaqa Shatri”, u mësua t’u ketë thënë ai agjentëve të policisë, pa pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të letër-porosisë. Në anën tjetër, ditën e nesërme, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të marrin në shqyrtim çështjen në lidhje me masën e sigurisë “arrest me burg” caktuar në mungesë ndaj Ilir Kumbaros. Në rast se urdhër-arresti ndaj tij do të lihet në fuqi nga Kolegjet e Bashkuara, atëherë Drejtësisë shqiptare i ndizet drita jeshile për nisjen e procedurave mbi ekstradimin e Kumbaros.

© Panorama.al

Te lidhura