Prokuroria kundër rigjykimit të Bares

Oct 5, 2011 | 12:50
Aldo Bare

Prokuroria do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, sapo të marrë në dorë vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, e cila rrëzoi burgimin e përjetshëm dhe vendosi rigjykim për të akuzuarin si kapo i bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Vendimi i Apelit që rrëzoi burgun përjetë, ka qenë i papritur për organin e akuzës, pas një procesi të gjatë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Shkaqet përse Apeli rrëzoi akuzat dhe dënimin e Aldo Bares, nuk janë bërë ende të ditura zyrtarisht. Vendimi i Gjykatës së Apelit  nuk është zbardhur megjithatë, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, jo zyrtarisht janë mësuar tri argumentet që janë bërë shkak për rrëzimin e burgimit të përjetshëm ndaj Alfred Shkurtit. Në dosje ndodhet një kërkesë e paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda nga avokati i Aldo Bares, ku kërkohej gjykim i shkurtuar. Sipas burimeve, Gjykata e Apelit nuk ka gjetur në dosje ndonjë dokument a vendim që të tregonte se kërkesa në fjalë  ishte rrëzuar apo ishte lënë në fuqi. Pra, kërkesa nuk është trajtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila dënoi Aldo Baren me burgim të përjetshëm, më 28 mars 2011. Një tjetër argument i përmendur nga Gjykata e Apelit, e cila ka zbardhur deri tani vetëm vendimin e shkurtuar të saj, është zhvillimi i një seance nga Gjykata e Shkallës së Parë në kushte të diskutueshme. Rreth tre muaj pas ekstradimit në Shqipëri, Aldo Bare kërkoi shtyrje të gjyqit në dy seanca radhazi, duke paraqitur madje raport mjekoligjor për këtë. Në njërën nga këto seanca, pasi u njoh me raportin mjekoligjor të paraqitur prej avokatit, trupi gjykues pyeti prokurorinë nëse ishte dakord me shtyrjen e seancës. Prokuroria u shpreh dakord, me kusht që afatet e paraburgimit të pezulloheshin. Mirëpo, në momentin e fundit, gjykata vendosi që seanca të zhvillohej. Momenti i tretë i përmendur nga Gjykata e Apelit është dëshmia e Gramoz Selmanit, i cili është marrë në pyetje në Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, pasi ndodhej atje si emigrant. Prokuroria e përshkruan Selmanin si dëshmitar okular të dy vrasjeve, mirëpo në vitin 1998 ndaj tij ishte hapur dosje në Prokurorinë e Lushnjës dhe personi ishte në kërkim, pasi ishte larguar nga Shqipëria. Edhe pse me një status të tillë, Selmani është marrë në pyetje në Ambasadën e Shqipërisë në Greqi e më pas është lënë i lirë. Arsyet e plota dhe të argumentuara, me të cilat Apeli rrëzoi dënimin e Aldo Bares, pritet të merren vesh vetëm pas zbardhjes përfundimtare të vendimit të gjykatës së Apelit. Prokuroria pohon se nuk ka pasur në këtë proces vend për të përmendur “shkeljet e rënda procedurale e ligjore”, siç është pretenduar. Po kështu, rigjykimi do të rrezikonte sërish afatet e paraburgimit të Bares, pasi gjyqi do të zgjaste minimalisht edhe dy vjet të tjera, kur i akuzuari mbahet në burg në Shqipëri që në 2009.

Akuza: E vështirë pyetja e dëshmitarëve të vrasjeve
Tirane – Organi i akuzës ka edhe një shqetësim tjetër, në rast se dosja penale ndaj të akuzuarit si drejtues i bandës së Lushnjës kthehet në gjykim. Nga 21 korriku 2009, kur procesi penal filloi dhe deri në 28 mars 2011, prokuroria paraqiti një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh për të mbështetur akuzat e ngritura. Numri dërrmues i dëshmitarëve, mbi 90 për qind e tyre, ishin banues të Lushnjës dhe zonave përreth. Atyre iu desh të paraqiteshin në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, duke udhëtuar privatisht nga rrethet për në kryeqytet. Burime nga Prokuroria e përgjithshme kanë thënë se duket e vështirë mundësia që dëshmitarët në fjalë të gjenden e më pas të riparaqiten edhe një herë në proces, në rast se dosja kthehet për rigjykim. Prokuroria bazohet në parashikimin e saj për një proces të vështirë në rigjykim, edhe në faktin se gjatë procesit të parë Policia e Shtetit është përballur me vështirësi në gjetjen e adresave të dëshmitarëve e deri tek shoqërimi i tyre në Gjykatë, kur ata kanë refuzuar të paraqiten.

Bare u dënua në Fakt për 6 akuza vrasjesh
Kryetarja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari, e dënoi me burgim të përjetshëm Aldo Baren në Shkallën e Parë për 6 akuza vrasjesh. Vendimi u shpall më 28 mars 2011. Gjykata deklaroi se ndaj Aldo Bares u ndryshua kualifikimi i veprës penale në dëm të Genci Kasharit dhe Artur Dajës, nga “vrasje me paramendim” dhe “vrasje me paramendim, mbetur në tentative” në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, në bashkëpunim”. Për këtë krim, Bare u dënua me 23 vjet burg. Në vijim, sipas vendimit, ai u dënua me burgim të përjetshëm për “vrasjen me paramendim” të Xhevat Demirit. Për “vrasjen me paramendim” ndaj Nimet Zenelit u dënua me 25 vjet burgim. Për dy raste të “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selamnit dhe Masar Aliut, u dënua me nga 25 vjet burg. Për “vrasjen me paramendim” të Masar Aliut u dënua me 25 vjet heqje lirie. Referuar verdiktit të gjykatës, të gjitha veprat e mësipërme, me përjashtim të asaj ndaj Genci Kasharit e Artur Dajës, janë kryer në kuadër të organizatës kriminale. Po sipas vendimit, Bare u dënua me 5 vjet heqje lirie për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, me 10 vjet burg për “shkatërrim të pronës me zjarr” të banesës së Shkëlqim Haxhiut dhe me 8 vjet burg për “krijim të organizatës kriminale”. “Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal ‘Caktimi i dënimeve për disa vepra penale’, gjykata në përfundim i jep dënimin e vetëm ‘burgim të përjetshëm’ të pandehurit Aldo Bare”, thuhej në vendimin e gjykatës. Gjykimi ndaj Aldo Bares në Gjykatën për Krimet e Rënda filloi më 21 korrik të vitit 2009, pak pasi ai u ekstradua nga Turqia, vend ku u arrestua në vitin 2006.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura