Prokurorët ushtrojnë kontrolle në zyrat e X në Paris, ja për çfarë po hetohet kompania e Elon Musk

Feb 3, 2026 | 11:20

Prokuroria e Parisit ka ushtruar një kontroll të martën në zyrat e kompanisë X të Elon Musk në Francë.

elon musk x

Njësia e krimit kibernetik e Prokurorit bëri me dije se po kryente hetimet në bashkëpunim me Europol si edhe me mbështetjen e njësisë së krimit kibernetik të policisë franceze.

Bëhet fjalë për një hetim të nisur në janar të vitit 2025, pas një denoncimi të një ligjvënësi, i cili pretendoi se algoritmet në X ka të ngjarë të kenë shtrembëruar funksionimin e një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave.

Prokurorët e Parisit kanë thirrur Musk dhe ish-drejtoreshën ekzekutive Linda Yaccarino për t’i marrë në pyetje në prill si pjesë e hetimit, thanë ata të martën.

Zyra e prokurorit tha gjithashtu se po largohej nga platforma e mediave sociale X dhe që tani e tutje do të komunikonte në LinkedIn dhe Instagram. LinkedIn i përket Microsoft dhe Instagram Meta-s.

© Panorama.al

Te lidhura