Ish-deputeti Lefter Maliqi shpjegoi se protesta qytetare nuk do dështojë, sepse po sfidon prej 50 ditësh edhe temperaturat e larta dhe vapën e tmerrshme, kurse zgjedhja e vetme e kryeministrit Edi Rama është të japë dorëheqjen dhe të largohet.
I ftuar në studion e News24 ditën e sotme, ai shpjegoi edhe tre qëllimet e revoltës popullore, që janë të panegociueshme; dorëheqja e qeverisë, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
“I gjithë qëllimi është rrëzimi i qeverisë Rama, qeveri tranzitore teknike dhe zgjedhje të lira e demokratike. Protesta nuk do të dështojë, do të vazhdojë, pavarësisht temperaturave, pavarësisht se është vapë e tmerrshme. Bashkë me qytetarët, opozitën dhe diasporën do të vazhdojë”, tha Maliqi mes të tjerash.
I pyetur edhe për peticionin e deputetes Elisa Spiropali që i ka bërë Asamblesë së PS-së me platformën e Shqipërisë së Re, ish-kandidati për deputet i opozitës në zgjedhjet e 11 majit dhe në ato lokale për Bashkinë Kuçovë, tha se Rama po mundohet të bëjë presione, kurse socialistët janë përçarë.
“Ai po mundohet të bëjë presione, t’i përçajë. Tani kanë nisur edhe dorëheqjet në administratë, edhe përçarja brenda PS-së e kemi parë. Kemi parë dhe lëvizjen e Spiropalit për Shqipërinë e re”, tha ai.
Por sipas Maliqit, Rama nuk ikën vetëm me protesta paqësore, por edhe me forcë dhe detyrim nga ndërkombëtarët apo SPAK.
“Rama nuk ikën me paqe, ai ikën vetëm me forcë, nëpërmjet DASH, BE, apo veprimeve të SPAK, edhe pse së fundmi SPAK nuk po duket, duhen më shumë hetime nga prokuroria”, tha ai.
© Panorama.al












