Koncerti i Kanye West në Tiranë nuk i shërbeu turizmit, më shumë sesa ishte rast i mirë përfitimi dhe abuzimi për bizneset, kurse qeveria nuk e mbrojti konsumatorin.
Kështu u shpreh sot në studion e televizionit News24, eksperti i turizmit Isa Krasniqi, teksa komentoi eventin e javës së kaluar.
Ai deklaroi se organizimi dhe akomodimi ishin një autogol për turizmin në Shqipëri, pasi hotelet në Tiranë abuzuan me çmimet dhe qeveria nuk mbrojti konsumatorët.
“Festivale të tilla i duhen vendit, 25 mijë të huaj erdhën për festivlain por dolën të pakënaqur për akomodimin. Hoteli me 3 yje 3500 euro. Nëse abuzojmë do të shkojmë edhe një herë në zemër. Jemi bërë me zemra të vogla dhe shpirt të ngushtë. U bë abuzim spektakolar. Mu bllokua i gjithë sistemi i akomodimit dhe të gjithë u ankuan. Nuk abuzoi Durrësi, por abuzoi Tirana”, shpjegoi ai mes të tjerash.
Edhe pse shprehet se koncerti nuk dështoi, ai vuri në dukje problematikat me abuzimet e bizneseve dhe sjelljen e qeverisë përballë konsumatorit. Sipas Krasniqit, çmimet e hoteleve u dhjetëfishuan.
“Nuk mund të them dështoi, por nuk ka kontroll dhe mbrojtje konsumatori, nuk mjafton të kërcejmë, rëndësi ka çfarë fitoi Shqipëria dhe fituam një imazh të keq. Çmimet e hoteleve shkuan deri në 10-fish më shtrenjtë. Ky ishte një autogol për turizmin, nëse nuk mbrojmë konsumatorin do të jemi humbësit më të mëdhenj”, argumentoi ai.
© Panorama.al












