“Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish!”- Fatos Lubonja: Kambanat e protestës nuk bien vetëm për Ramën, ministrat, parlamentarët, ato bien edhe për…

Jul 19, 2026 | 19:46

fatos lubonjaNGA FATOS LUBONJA

Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë,

Po e filloj duke ju rikujtuar një anekdotë që vjen nga antikiteti e që shpresoj se shumë nga ju mund ta kenë hasur në tekstet e studimeve për drejtësi:

Flota e një mbreti të fuqishëm kapi në det një anije pirate dhe e çoi kryepiratin të gjykohej para  mbretit. Ishte një kohë kur mbreti kishte pushtet absolut d.m.th. bënte edhe ligjvënësin edhe gjykatësin. “Me ç‘të drejtë e zapton ti detin dhe plaçkit në të?” – e pyeti mbreti piratin. Ky, duke u ndjerë i pashpresë, mori guximin dhe i tha: “Me të njëjtën të drejtë që zapton dhe plaçkit ti, por unë e bëj vetëm me një anije dhe quhem plaçkitës kurse ti e bën me një flotë të madhe dhe quhesh mbret.”

Sikurse shpresoj ta dini kjo anekdotë ngre një çështje themelore lidhur me të drejtën. Shën Agostini e ka formuluar në formën e pyetjes: çfarë do të ishte një shtet pa të drejtën përveçse një bandë e madhe plaçkitësish? Ose ndryshe: pa të drejtën një bandë plaçkitësish a nuk do të ishte veçse embrioni i një shteti?

Besoj se nuk është nevoja të zgjatem me ju përsa i përket kuptimit ligjor, politik e moral të kësaj anekdote. Por nuk mund të rri pa ju kujtuar historinë tonë. Kam parasysh bandën e madhe të Enver Hoxhës që u bë shtet dhe i shkaktoi për afro gjysmë shekulli popullit shqiptar krime me pasoja të pariparueshme duke u plaçkitur deri dhe jetën, dinjitetin dhe lirinë dhe se, në prizmin e anekdotës në fjalë, nuk mund të mos kujtojmë se një nga instrumentet kryesore që përdori kjo bandë kanë qenë pikërisht organet e drejtësisë: hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët.

E pra, zonja dhe zotërinj të drejtësisë, kanë kaluar 36 vjet nga rënia e atij regjimi dhe populli shqiptar është ngritur në një protestë masive që e mori nismën ngaqë rojet e një oligarku të qeverisë tërhoqën zharg një qytetar që protestonte për shkak se po i plaçkitnin pronën – dhe e gjitha kjo në sytë pasivë të policisë së shtetit. Ashtu siç e kuptoj unë empatia e ndaj këtij protestuesi, që i ngriti shqiptarët në këmbë, e ka burimin tek fakti se ata vazhdojnë të vuajnë si dikur nën sundimin e një shteti bandë e madhe plaçkitësish që me krimet dhe padrejtësitë e tij po ua bën vendin gjithnjë e më të pajtueshëm.

Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj  drejtësie për të cilën flet Agostini  që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

Personalisht, kur ma kanë ngritur këtë pyetje jam përgjigjur se me hir dhe me pahir anija e drejtësisë   vazhdon të lundrojë në krah dhe jo kundër anijeve të plaçkitësve, pra jashtë kufirit të së drejtës, madje se me përqendrimin gjithnjë e më të madh të pushtetin në duart e Edi Ramës kapërcimi i këtij kufiri po bëhet gjithnjë e më skandaloz. Argumentet e mija i kam shprehur duke ngritur pyetjet: A do të kishte ndodhur kjo protestë sikur drejtësia të kishte pas bërë punën e vet? JO, madje edhe vetë ngjarja e Zvërnecit nuk do të kishte ndodhur pasi të dhënat për padrejtësitë e plaçkitësve të përfshirë aty ka vite që janë bërë publike ashtu sikurse edhe natyra kriminale e kësaj qeverie dhe e klientëve të saj. Po ashtu, sikur të mos e kishte anijen e drejtësisë në anën e vet, a do të guxonte kryeministri të jepte leje grataçielash e resortesh për pastrimin e parave të drogës (sipas projektit Aruba) dhe të sfidonte pastaj protestuesit duke u thënë se është detyra e tyre të provojnë se është ai kumbari? A do të guxonte ai që, në valën e protestës, të shkelte Kushtetutën duke derdhur 4 milion Euro nga fondi rezervë për të sponsorizuar një antiprotestë? Jo që jo!  Prandaj, personalisht, që në ditën e parë të protestës kam bërë thirrje që ajo të drejtohet edhe për nga selia e SPAK-ut.

Mirëpo vë re se ndër protestuesit, veçanërisht të rinjtë, vazhdon të mbizotërojë shpresa dhe besimi se ju do të veproni në emër të së drejtës dhe jo në interes të plaçkitësve.

Do të doja shumë të jem gabim dhe ata të kenë të drejtë. Koha do ta provojë. Megjithatë, duke ju kujtuar se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe në respekt të shpresës e besimit të tyre, desha t’ju ve në dukje se kjo kohë, që për mua ka kaluar, sot ka ardhur edhe për ta dhe po ulëret. Momenti historik në të cilin po jetojnë njerëzit e veçanërisht rinia në protestë do të përcaktojë qartë fizionominë ligjore, politike dhe morale të veprimeve dhe mosveprimet tuaja duke u treguar shqiptarëve nëse anija e drejtësisë shqiptare noton brenda kufijve të së drejtës apo jashtë tyre së bashku me bandën e madhe të plaçkitësve.

Fatos Lubonja

Shkrimtar, gazetar, ish i dënuar pa të drejtë nga dy gjykata të regjimit të Enver Hoxhës

 

© Panorama.al

Te lidhura