Kupa e Botës është trofeu që çdo kapiten i një kombëtareje ëndërron ta ngrejë lart. Megjithatë, këtë arritje e kanë realizuar vetëm tetë shtete në historinë e futbollit.
Ky numër nuk do të rritet pas finales së Botërorit 2026, pasi si Argjentina, që e ka fituar trofeun tri herë, ashtu edhe Spanja, kampione një herë, e kanë ngritur më parë Kupën e Botës.
Trofeu i Kupës së Botës është ndoshta objekti më i fotografuar në futboll, ndërsa historia dhe karakteristikat e tij fshehin disa detaje mjaft interesante.
Ai u prezantua për herë të parë në Botërorin e vitit 1974, që u zhvillua në Gjermaninë Perëndimore. Trofeu i parë u fitua pikërisht nga Gjermania Perëndimore, e cila në finale mposhti Holandën me rezultatin 2-1.
Dizajni i trofeut është vepër e skulptorit italian Silvio Gazzaniga, projekti i të cilit u përzgjodh fitues mes 50 propozimeve të paraqitura në konkursin ndërkombëtar.
Para tij përdorej trofeu legjendar “Jules Rimet”, i cili iu dha përgjithmonë Brazilit pasi kombëtarja braziliane e fitoi për herë të tretë në vitin 1970.
Trofeu aktual i Kupës së Botës peshon 6 kilogramë e 175 gramë, është 36.8 centimetra i lartë dhe baza e tij ka një diametër prej 13 centimetrash.
Ai është punuar me ar 18-karatësh, me pastërti 75%, ndërsa në pjesën e poshtme ka dy shirita prej malakiti, një mineral me ngjyrë të gjelbër të ndezur.
Vlera e saktë e trofeut është praktikisht e pamundur të përcaktohet, pasi nuk është një objekt tregtar dhe konsiderohet unik. Megjithatë, ajo llogaritet të arrijë në miliona dollarë.
Sipas një vlerësimi të bërë këtë vit nga Bursa e Londrës, vetëm ari që përmban trofeu vlen më shumë se 700 mijë dollarë, megjithëse kjo shifër ndryshon në varësi të çmimit të arit në treg.
Siç dihet, trofeu paraqet dy figura njerëzore që ngrihen drejt qiellit, duke mbajtur globin e Tokës mbi kokat e tyre, një simbol i triumfit dhe i bashkimit të futbollit botëror.
© Panorama.al












