Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham u bëri thirrje forcave politike të tregojnë më shumë seriozitet përballë sfidave të reja, duke pranuar se besimi i qytetarëve ndaj politikës ka rënë ndjeshëm.
Burnham tha se është i vetëdijshëm se “qytetarët janë lodhur nga politika” dhe theksoi se politikanët duhet “të rrisin standardin e tyre” dhe të përshtaten me kërkesat e kohës.
“Dua të jem i sinqertë me ju. Nuk kemi qenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe duhet të bëhemi më të mirë. Dhe do të bëhemi”, deklaroi ai.
“Le ta shfrytëzojmë këtë moment si një fillim të ri, që Britania të besojë sërish. Është momenti për të rikthyer shpresën. Do të prezantoj një plan të ri për Britaninë, një plan dhjetëvjeçar”, shtoi Burnham.
“Dita e punës fillon tani”, theksoi ai, duke bërë të ditur se udhëzimi i parë i qeverisë së tij do të jetë “dhënia fund e fenomenit të njerëzve që jetojnë në rrugë në vendin tonë”.
Deklaratat e tij u pritën me duartrokitje të forta nga të pranishmit jashtë Downing Street.
“Do ta vendos kujdesin për njerëzit në qendër të çdo veprimi tim. Do të jap maksimumin dhe ju kërkoj të gjithëve të punoni së bashku me mua. Le të ndërtojmë një frymë të re kombëtare uniteti, qëllimi të përbashkët dhe optimizmi. Le ta bëjmë këtë moment pikën e nisjes që Britania të rifitojë besimin dhe të rikthejë shpresën”, u shpreh ai.
Kryeministri i ri britanik njoftoi se nga dita e nesërme qeveria e tij do të prezantojë paketën e parë të masave për përballimin e rritjes së kostos së jetesës, me synimin për të ofruar lehtësim të menjëhershëm për familjet.
Sipas tij, ekzistojnë ndërhyrje që mund të zbatohen menjëherë për t’u dhënë qytetarëve më shumë frymëmarrje financiare. Burnham bëri të ditur se, duke nisur nga nesër, do të prezantojë iniciativat konkrete dhe do të shpjegojë edhe mënyrën e financimit të tyre.
Ai paralajmëroi gjithashtu se më vonë gjatë këtij viti do të paraqesë një plan dhjetëvjeçar për Britaninë, i cili do të përcaktojë strategjinë e qeverisë së tij për ekonominë dhe politikat sociale.
Ndër angazhimet kryesore të tij janë mbështetja e të rinjve për integrimin në tregun e punës, forcimi i shërbimeve të shëndetit mendor, ndërtimi i më shumë banesave sociale, ulja e shpenzimeve sociale në një mënyrë “të drejtë dhe të qëndrueshme”, respektimi i rregullave fiskale dhe përmbushja e angazhimeve të vendit për shpenzimet në mbrojtje.
Në fjalimin e tij, Burnham përsëriti vlerësimin se Britania ndoqi “rrugë të gabuara” gjatë viteve 1980 dhe se pasojat e asaj periudhe vazhdojnë të ndihen edhe sot.
Ai argumentoi se shumë qytetarë mendojnë se komunitetet e tyre vazhdojnë të jenë në rënie dhe nuk kanë mjetet e nevojshme për të ndryshuar situatën. Për këtë arsye, tha ai, qeveria do të synojë të ndryshojë mënyrën e ushtrimit të politikës, duke vendosur më shumë theks te bashkëpunimi dhe zgjidhja e problemeve sesa te përplasjet politike.
Njëkohësisht, Burnham u angazhua për një decentralizim më të madh të pushtetit, duke transferuar më shumë kompetenca te komunitetet lokale. Ai paralajmëroi gjithashtu krijimin e një modeli të ri ekonomik, ku mallrat dhe shërbimet bazë do të jenë nën një kontroll më të fortë publik, me qëllim që të bëhen më të përballueshme për qytetarët.
© Panorama.al












