Aktivisti Edison Lika: Nuk largohemi nga ky shesh pa ikur ai që është strukur në kryeministri! Kjo protestë është si vullkan, por ndalon vetëm kur të dorëhiqet Rama

Jul 19, 2026 | 20:14

Aktivisti Edison Lika ka deklaruar se protesta kundër qeverisë do të vijojë edhe pas 50 ditësh qëndresë, duke theksuar se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi pa realizimin e kërkesave të tyre, ku kryesorja mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Ai theksoi se përpjekjet për ta ndalur protestën kanë dështuar dhe tashmë ajo, sipas tij, është kthyer në një lëvizje të pandalshme, “në një nga ato vullkanet që nuk ndalojnë”.

Aktivisti theksoi se protesta do ndalet kur të dorëhiqet Rama, kur të ndryshohet ligji 21/2024, të pezullohet dhe të largohen fadromat nga zonat e mbrojtura, nga Zvërneci në Rrjoll.

“Kjo protestë do të ndalojë vetëm atëherë kur shqiptarët të mos ikin më, por edhe ata që kanë ikur të kthehen. Do të ndalojë kur në parlament përfaqësues të mos jenë kriminelë dhe oligarkë, por përfaqësues të qytetarëve“, tha ai ndër të tjera.

Edison Lika: Jemi sot pas 50 ditësh në këtë protestë. Kush do ta mendonte se do të ishim këtu pas 50 ditësh, edhe në ditën e finales së Botërorit? Ne kemi qenë këtu që prej ditës së parë për t’i dëshmuar fillimisht njëri-tjetrit, e më pas qeverisë, se e kemi seriozisht. E vijojmë sot, edhe pas ditës së 50-të, me të njëjtën konsistencë, me të njëjtën vendosmëri për t’u thënë të gjithëve se e kemi seriozisht. Dhe ne nuk largohemi pa u larguar ai që është strukur në Kryeministri.

Protestën janë munduar ta ndalojnë me qindra mënyra, por ç’është më e rëndësishmja, nuk do të arrijnë ta ndalojnë. Kjo protestë, pavarësisht vullnetit të kujtdo, nuk ndalon më. Është aktivizuar dhe është një nga ato vullkanet që nuk ndalojnë…

Protestën e ndalon vetëm dorëheqja e Ramës dhe realizimi i të gjitha pikave. Do të ndalojë kur të ndryshohet ligji 21/2024, të pezullohet dhe të largohen fadromat nga zonat e mbrojtura, nga Zvërneci në Rrjoll.

Kjo protestë do të ndalojë vetëm atëherë kur shqiptarët të mos ikin më, por edhe ata që kanë ikur të kthehen. Do të ndalojë kur në parlament përfaqësues të mos jenë kriminelë dhe oligarkë, por përfaqësues të qytetarëve.

© Panorama.al

Te lidhura