Zbulohen 92 faqet e para të “Rilindja Shqiptare”. Shërbim shëndetësor falas dhe taksim progresiv
emëruar që në faqen e tij të parë si “Rilindja Shqiptare”, programi i botuar përpiqet të shpjegojë, edhe pse në mënyrë shumë të mjegullt dhe me shumë pikëpyetje financiare, ndryshimin radikal, në mënyrën dhe mjetet e qeverisjes që do të përdorë PS-ja. I gjithë programi i detajuar dje, tregon qartë një qasje të re të socialistëve, atë të rishpërndarjes së barabartë të të mirave. Programi i PS-së ka shumë pak të dhëna për investimet dhe flet shumë më tepër për punësimin, shërbimet shëndetësore dhe ato sociale.
Rimëkëmbja e ekonomisë
PS parashikon ndryshimin e strukturës së ekonomisë. Në program tregohet se prioritet është rritja e prodhimit dhe jo e konsumit nga jashtë. Kjo si ndihmë e rritjes së punësimit. Parashikimi i PS-së është që të punësojë 75 mijë persona të rinj në vit. Dhe këtu qëndrojnë disa nga risitë, edhe pse të pashoqëruara me fatura financiare. “Do të financojmë programe të posaçme për vetëpunësim dhe punësim në zonat e prapambetura veriore, veri-lindore, zonat e thella malore dhe ato me fluks të lartë emigrimi. Të gjithë të papunëve të regjistruar do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda 2 viteve. Të gjithë djemve dhe vajzave të papunë, nën moshën 25 vjeç, do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda 6 muajve. Ne do të dhjetëfishojmë financimin publik për punësimin”. Pra, edhe pse jo me shifra konkrete, duket se PS-ja do i mëshojë, me ardhjen në pushtet, rritjes së mundësisë së punësimit të të papunëve, duke i dhënë atyre profesion.
Ndryshim i madh është edhe ai fiskal. Në fakt, PS-ja e pranon që në fillim se programi i saj mbart “vlerat që na mbajnë bashkuar në familjen e madhe të Internacionales Socialiste”. Projekti fiskal është kalimi i barrës fiskale te të pasurit. Në programin e botuar dje, bie në sy heqja e të gjithë referencave për biznesin privat, PS parashikon që do të jenë vetë bizneset ato që do të deklarojnë sa të punësuar kanë, sa paga i japin, deri te faturat e mallrave që importojnë. “Do të ndryshojmë rrënjësisht sistemin fiskal, duke kaluar nga një taksim regresiv i konsumit dhe taksim proporcional i të ardhurave, në një taksim progresiv për të gjithë, që do të bëjë që kush është më i pasur të ketë një barrë më të lartë fiskale, se sa një më i varfër”.
Investimet
Qeverisja e PS-së nuk do të jetë e fokusuar te investimet, por te shpërndarja e parave të taksave për shërbime sociale. “Do të investojmë shumë fuqimisht në sigurinë rrugore”, thuhet në planin e PS-së për infrastrukturën. Aty i mëshohet më shumë rrugëve që lidhin fshatrat me rrugët kombëtare si dhe investimeve në porte. PS parashikon ndërtimin e një porti të ri në Durrës.
Pronarët dhe të përndjekurit
Edhe pse i rendit të dytët pas veteranëve, PS ka zbuluar një pjesë të programit të ri për të përndjekurit. Sipas kësaj skeme, gama e të përndjekurve do të zgjerohet. “Skema jonë e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit. Të gjitha shërbimet publike për ish-të përndjekurit do të përballohen nga shteti”. Qasje tjetër ka edhe për ish-pronarët, që sipas PS-së do të quhen pronarë. “Qëllimi ynë është i qartë: pronarëve që duan t’u kthehet prona, fermerëve që punojnë tokën, apo atyre qytetarëve që duan të përfitojnë pronësinë nga procesi i legalizimit, u duhet një pronë e regjistruar e me certifikatë. Të cilën ne do t’ua japim”.
Shëndetësia
Një tjetër ndryshim me tendencë drejt rishpërndarjes së pasurisë është ai i sigurimeve shëndetësore. “Të gjithë atyre që varfëria apo papunësia i ka lënë pa sigurim shëndetësor, ne do t’u ofrojmë shërbim shëndetësor falas dhe ata do të sigurohen nga shteti. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës”.
Pikat e programit te PS
PRONARET
Ne do të bashkëpunojmë me ta për të hartuar e zbatuar një kuadër të ri ligjor, që nga njëra anë respekton të drejtat e pronarëve dhe nga ana tjetër siguron drejtësi sociale për kategoritë e tjera të popullsisë.
Qëllimi ynë është i qartë: pronarëve që duan t’u kthehet prona, fermerëve që punojnë tokën, apo atyre qytetarëve që duan të përfitojnë pronësinë nga procesi i legalizimit, u duhet një pronë e regjistruar e me certifikatë. Të cilën ne do t’ua japim.
TE PËRNDJEKURIT
Skema jonë e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit.
Dëmshpërblimi për të përndjekurit mbi moshën 75 vjeç do të kryhet brenda një viti. Politikat tona publike dhe sociale do të respektojnë statusin e ish-të përndjekurit.
Të gjitha shërbimet publike për ish-të përndjekurit do të përballohen nga shteti.
SHENDETESIA
Të gjithë atyre që varfëria apo papunësia i ka lënë pa sigurim shëndetësor, ne do t’u ofrojmë shërbim shëndetësor falas dhe ata do të sigurohen nga shteti.
Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës.
POLITIKA FISKALE
Rivendosje e ekuilibrave socialë.
Çmontim i sistemit të referencave. Sipërmarrësit do të jenë të lirë të vetëdeklarojnë dhe nuk do të penalizohen nga referencat e numrit të individëve të punësuar, nivelit të pagave, çmimit të importit apo vlerës së transaksioneve.
Hartimi i planit kombëtar, i shoqëruar me ngritjen e kadastrës shumëqëllimshme, do të jenë instrumentet themelorë për të orientuar investimet private, vendëse e të huaja.
RISHPËRNDARJE E TË ARDHURAVE
Parimi ynë themelor është se rishpërndarja funksionon përmes progresivitetit.
Do të ndryshojmë rrënjësisht sistemin fiskal, duke kaluar nga një taksim regresiv i konsumit dhe taksim proporcional i të ardhurave, në një taksim progresiv për të gjithë, që do të bëjë që kush është më i pasur të ketë një barrë më të lartë fiskale, se sa një më i varfër.
BORXHI
Jemi të përgatitur profesionalisht e të gatshëm politikisht që përgjegjësitë për kontrollin e borxhit publik t’i ngremë në nivelin e detyrimeve ligjore apo kushtetuese. Ne do të mbajmë të kontrolluar deficitin buxhetor në parametrat e kërkuar nga Traktati i Mastricht-it, edhe pse ky nuk është ende një detyrim për Shqipërinë.
PUNESIMI
Do të financojmë programe të posaçme për vetëpunësim dhe punësim në zonat e prapambetura veriore, veri-lindore, zonat e thella malore dhe ato me fluks të lartë emigrimi.
Ne do të krijojmë jo më pak se 75 mijë vende të reja pune në vit dhe do të synojmë punësimin me përparësi të grave e vajzave, të rinjve, të arsimuarve, pjesëtarëve të pakicave dhe individëve me aftësi të kufizuar.
Të gjithë të papunëve të regjistruar do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda 2 viteve. Të gjithë djemve dhe vajzave të papunë, nën moshën 25 vjeç, do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda 6 muajve.
Personave me aftësi të kufizuara dhe invalidëve do t’u mundësohet një punë e përshtatshme pas dy vjet përfitimesh nga skemat e programeve të aftësisë së kufizuar.
Do të dhjetëfishojmë financimin publik për punësimin.
BURIMEVE NATYRORE
Do të normalizojmë formën e propozimit të pakërkuar.
Do të mbështesim ato partneritete publike/private që mundësojnë zgjerim e ciklit brenda vendit, duke filluar nga nxjerrja e lëndëve të para deri te përpunimi i tyre brenda kufijve shqiptarë, për të përfituar sa më shumë vlerë të shtuar dhe sa më shumë punësim.
Do të shfuqizojmë të gjitha lejet koncesionare për vepra hidroenergjetike që nuk kanë respektuar afatet ligjore
Do të rishikojmë të gjitha kontratat e partneritetit publik – privat dhe do të kërkojmë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve.
INFRASTRUKTURA
Do të realizojmë një zhvillim total të rrjetit rrugor që do të përfshijë si rrjetin kombëtar, ashtu dhe atë urban, por mbi gjithçka rrjetin rural.
Zhvillimi i rrjetit rural do të synojë të lidhë të gjithë fshatrat me rrjetin rrugor primar, atë sekondar, si edhe me zonat bregdetare.
Do të investojmë shumë fuqimisht në sigurinë rrugore.
Ndërtimin e paktën një porti të ri tregtar në Durrës
SHKOLLA
Dy të reja ka sjellë programi i PS për edukimin. “Problemet dhe edukata mjedisore do të bëhen pjesë e pandarë e të gjitha niveleve të shkollimit në Shqipëri”. Nga ana tjetër, shpirti artistik i kryetarit të PS-së duket se ka ndikuar direkt edhe në një pikë tjetër shtesë në sistemin arsimor: “Çdo gjimnazist do të duhet të zgjedhë një prej këtyre lëndëve si muzika, aktrimi, piktura apo poezia”.
Aristir Lumezi
PER NJE RILINDJE SHQIPTARE
Nga Edi Rama
Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi gati ta bëjmë të mundur bashkë me ju ndryshimin e dëshiruar. Shqipëria s’mundet të vazhdojë më tutje në rrugën e degradimit të ekonomisë, shtetit, demokracisë. S’ka më kohë për të humbur dhe as justifikime që mund të rrinë në këmbë para fëmijëve të atdheut tonë. Rruga e polarizimit ekstrem që po shkakton një çarje të mirëfilltë sociale, ku të varfrit apo të gjithë ata që jetojnë me një rrogë të zakonshme paguajnë më shumë taksa se rrogëtarët e lartë, madje, edhe më shumë se të pasurit e këtij vendi, duhet të mbyllet.
Një rrugë e re duhet të hapet. Me një model të ri ekonomik. Me një projekt social të mirëfilltë. Me një shtet funksional dhe një qeverisje të mirë. Me një frymë ribashkuese me Europën, të cilës i përkasim qysh prej kohëve të vjetra. Për një Rilindje Shqiptare.
Së bashku ne mund ta heqim qafe këtë qeveri, me gjithë politikën e vet të borxheve mbytëse që i merr kryetari i saj që po i paguan çdo familje shqiptare, sa një faturë dritash në muaj. Së bashku ne mund të ndërtojmë një sistem më të drejtë të rishpërndarjes së pasurisë. Mund të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Mund të përmirësojmë shkollat dhe spitalet. Mund të pastrojmë Shqipërinë nga plehrat e kudondodhura dhe të bëjmë Shqipërinë e nesërme të prodhimeve cilësore e të bukurive turistike.
Së bashku ne mund ta bëjmë edhe politikën më të mirë padyshim. Asgjë s’është e pamundur së bashku. Prandaj unë ju ftoj të bashkoheni me ne, për të bërë të mundur një tjetër lloj politike dhe qeverisjeje për Shqipërinë. Duke filluar nga thellimi e përsosja e këtij programi bazë.











