Ministria e Arsimit shpall listën për degët në Tiranë, Elbasan e Korçë. Aplikojnë kandidatët me diplomë Bachelor.
Ja tarifat e studimit për vitin akademik. Kategoritë që përjashtohen dhe paguajnë vetëm 50 për qind.
Miratohen kuotat për Masterat Profesionalë të sistemit part-time. Ministria e Arsimit ka zbar-dhur vendimin për studimet e ciklit të dytë në universitetet publike. Në total, për vitin akademik 2011-2012 do të pranohen 1370 studentë të ndarë sipas katër kategorive. Gjithashtu janë përcaktuar edhe tarifat e studimit sipas krediteve dhe për vitin akademik në tërësi. Për të gjitha programet studentët do të paguajnë 65 520 lekë. “Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas tij, studentët e shkëlqyer përjashtohen nga tarifa e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Kategoritë sociale ku bëjnë pjesë personat që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidët, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës e të ish- të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. “Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale”, thuhet në vendim.
Kush aplikon
“Çdo shtetas shqiptar që zotëron një diplomë universitare së paku ‘Bachelor’, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë në programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ministria e Arsimit pritet të nxjerrë udhëzimin për datat dhe afatet e regjistrimit. Kuotat janë të ndara në katër nëngrupe. Nga totali prej 1370 studentësh, 1230 do të jenë pranime të reja. Për transferim studimesh janë përcaktuar 40 kuota. Për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve do të ketë 60 pranime, ndërsa 40 studentë do t’i përkasin kategorisë së ish-të përndjekurve politikë. Gjithashtu janë 40 vende që do të zihen nga studentët që duan të transferohen në të njëjtën degë, por në universitet tjetër. Sipas vendimit, shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit (Republika e Kosovës, Maqedonia, Mal i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja) dhe shtetasit e huaj që do të vazhdojnë studimet në një program studimi me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë.
Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara
Shpallen emrat e fituesve të rinj për 1800 kuota në ciklin part-time të Bachelor. Ministria e Arsimit ka dërguar tashmë në fakultete numrin e kuotave të përcaktuara për çdo degë. Janë rreth 20% e totalit të kuotave, të cilat mbeten të paplotësuara dhe u vendos të rishpërndaheshin. Mesatarisht janë shtuar deri në rreth 100 vende për degët më të kërkuara. Kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20 për qind të numrit total të pranimeve. Pjesa tjetër, 80% e numrit total të kuotave, janë të përcaktuara për ata kandidatë që nuk kanë kryer asnjë shkollë të lartë.
Përzgjedhja me mesatare
Mesatarja e shkollës së mesme është ndër kriteret kryesore që komisionet e përzgjedhjes marrin parasysh në përcaktimin kandidatëve fitues. Ky rregull është i vlefshëm për të gjithë aplikantët që konkurrojnë për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë studimi, apo i dytë. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar. Përsa u përket kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë studimet e pjesshme për fakultet të dytë, këtë vit u ndryshua kriteri i mesatares.
Kuotat e pranimit sipas degëve
Universiteti i Tiranës
• Administrim – Biznes 70
• Kontabilitet 35
• Financë 50
• Studime Ekonomike Europiane 35
• Marketing 35
• Administrim – Publik 70
• Menaxhim turizmi 35Universiteti i Elbasanit
• Mësuesi për lëndët Matematikë – Fizikë, me profil minor Informatikë 60
• Mësuesi për lëndët Matematikë – Informatikë, me profil minor Fizikë 80
• Mësuesi për lëndët Biologji – Kimi, me profil minor Edukim shëndetësor 80
• Mësuesi për lëndët Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 50
• Mësuesi për lëndët Histori – Gjeografi, me profil minor Edukatë qytetare 50
• Mësuesi për lëndët Edukatë qytetare – Gjeografi, me profil minor Histori 50
• Mësuesi për lëndët Edukatë qytetare – Histori, me profil minor Gjeografi 50
• Mësuesi për lëndën Gjuhë angleze, me profil minor Gjuhë shqipe 50
• Mësuesi për lëndën Gjuhë frënge, me profil minor Gjuhë shqipe 50
• Mësuesi për lëndën Gjuhë italiane, me profil minor Gjuhë shqipe 50
• Mësuesi për lëndën Gjuhë gjermane, me profil minor Gjuhë shqipe 50
• Punë sociale me fëmijët dhe familjen 80
• Psikologji në institucione 80Universiteti i Korçës
• Mësimdhënie 80
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











