Problemet mendore, kërkojnë ndihmë 20 mijë persona në vit

Oct 11, 2011 | 10:42

Rritet frikshëm numri i personave që vuajnë nga çrregullime mendore në vendin tonë. Këtë vit të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë flasin qartë se situata po bëhet alarmante. Rreth 4 për qind e pacientëve të grupmoshave të ndryshme, të cilët marrin ndihmë në sistemin shëndetësor, janë pacientëve që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. “Rreth 20 mijë pacientë kërkojnë ndihmë pranë sistemit shëndetësor parësor, ndërkohë që 60 mijë receta me rimbursim lëshohen çdo vit për këtë kategori pacientësh”. Kështu u shpreh dje gjatë një aktiviteti sensibilizues të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Çrregullimet mendore prekin edhe një pjesë jo të vogël të fëmijëve. Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë po përfundon hartimin e projektligjit të ri për shëndetin mendor. Sipas të dhënave, vitet e fundit rezulton që 1 në 6 fëmijë ka probabilitet të preket deri në adoleshencë nga ky grup sëmundjesh. Dhjetëra fëmijë që kanë probleme mendore dhe që trajtohen në tri qendrat e shëndetit mendor në kryeqytet, shpalosën talentet e tyre në fusha të ndryshme të artit gjatë aktivitetit të djeshëm. Ministri i Shëndetësisë shpërndau disa certifikata për fëmijët pjesëmarrës. Aktivitete të tjera u zhvilluan dhe në rrethe të tjera ku ka  shërbime të shëndetit mendor, si në Elbasan, Vlorë, Shkodër, Korçë.

© Panorama.al

Te lidhura