Princesha trashëgimtare e Norvegjisë, Mette-Marit, i është nënshtruar me sukses një transplanti të mushkërive, bëri të ditur Pallati Mbretëror.
“Transplanti i mushkërive ka rezultuar deri tani i suksesshëm”, deklaroi Arnt Fiane, shef i repartit të kirurgjisë torakale në Spitalin Kombëtar të Oslos.
52-vjeçares i ishte diagnostikuar një formë e rrallë e fibrozës pulmonare, një sëmundje që shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe që në raste të avancuara kërkon ndërhyrje delikate si transplanti. Sipas mjekëve, pa këtë ndërhyrje, jetëgjatësia e saj mund të ishte vetëm një deri në dy vite.
Gjendja shëndetësore e princeshës ishte përkeqësuar kohët e fundit. Mette-Marit ishte shfaqur me kanula oksigjeni në hundë gjatë një pritjeje zyrtare në Pallatin Mbretëror në Oslo, e organizuar për atletët paralimpikë norvegjezë pas Lojërave Milano-Cortina 2026.
Ishte hera e parë që princesha merrte pjesë në një aktivitet zyrtar duke përdorur oksigjen, një sinjal i qartë i përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.
© Panorama.al















