Parlamenti Europian ka miratuar përfundimisht rregullat e reja për kthimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në Bashkimin Europian.
Rregullorja u aprovua me 418 vota pro, 218 kundër dhe 30 abstenime, me mbështetjen e Partisë Popullore Europiane dhe forcave të djathta.
Sipas rregullave të reja, një vendim për kthim nënkupton detyrimin për të lënë menjëherë, ose brenda një afati të caktuar, territorin e shtetit anëtar përkatës. Gjithashtu, emigrantët mund të mbahen në qendrat e ndalimit deri në 24 muaj.
Një tjetër element i rëndësishëm i rregullores është mundësia për transferimin e emigrantëve, me përjashtim të të miturve të pashoqëruar, drejt “qendrave të kthimit” të vendosura në territorin e vendeve të treta.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cilësoi këtë vendim si një arritje historike për Italinë dhe për gjithë Europën.
“Në këtë mënyrë, Italia ka arritur një sukses të madh në Europë. Parlamenti Europian ka miratuar rregulloren e re për kthimet, një masë historike që është edhe fryt i punës së qeverisë italiane dhe që na lejon të kthejmë më shpejt ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE”, u shpreh Meloni në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Eviani, ku ndodhet për samitin e G7.
Ajo theksoi se rregullorja parashikon edhe hapjen e qendrave të kthimit në vendet e treta, duke ndjekur modelin e marrëveshjes së Italisë me Shqipërinë.
“Sot Europa ndjek rrugën që hapi Italia me protokollin me Shqipërinë, një zgjidhje inovative që u kundërshtua nga e majta, por që tashmë është kthyer në një instrument për gjithë BE-në”, deklaroi ajo.
Meloni shtoi se objektivat mbeten të qarta: mbrojtja e kufijve, ulja drastike e zbarkimeve, lufta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe kthimi i menjëhershëm i atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë.
“U kishim premtuar italianëve se do të ndryshonim Europën dhe e bëmë këtë, me guxim dhe vendosmëri. Nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë përpara”, përfundoi kryeministrja italiane.
© Panorama.al












