
Dje në sallën “Kadri Roshi” të TK, përpara trupës së aktorëve, artistë që punojnë ose jo në Teatrin Kombëtar, u zhvillua ceremonia e prezantimit zyrtar të drejtorit të ri të këtij institucioni, i cili u shpall pas një konkursi të zhvilluar nga Ministria e Kulturës. Në të vërtetë nuk pritej, por ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka arritur t’i ulë në të njëjtin panel Skramin dhe Çulin. Dhe jo vetëm kaq, por së pari Skrami uroi Çulin për detyrën e re dhe për sfidën që ka marrë mbi supe për reformimin e Teatrit Kombëtar e më pas drejtori i ri falënderoi atë të vjetrin për punën e deritanishme. Sytë e të gjithëve ishin të mbërthyera në skenë, ku qëndronte drejtori i ri, i cili ka premtuar ndryshime të thella në teatër. Ç’do të ndodhë paskëtaj? Do të largohen të gjithë nga puna, do të mbahen, do lidhen kontrata… Një shqetësim që u bë muaj që trazon të gjithë punonjësit e TK-së, e aq më tepër tani, pas ardhjes së Çulit në krye të tij.
Ministrja, analizë procesit
Drejtori i ri
Siç e do zakoni, drejtori i ri duhet të thotë diçka përpara stafit, që në fakt, në rastin e Hervin Çulit nuk është aspak i panjohur. Teksa qëndronte mbi skenë dhe shihte në sallë bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm, Çuli u shpreh se mes tyre shihte shumë miq, por edhe njerëz që e paragjykojnë apo personalitete me të cilët nuk ka ndarë të njëjtat këndvështrime.
“Sigurisht që nuk jam perfekt, por e dua shumë skenën dhe nuk kam ardhur për të dëmtuar njeri, por për të ndërtuar. Shpresoj që ato që unë ëndërroj t’i bëjmë të gjithë bashkë”, tha Çuli, duke shtuar se e vetmja “njollë” i tij do të jetë karshi njerëzve që nuk i përgjigjen institucionit me punë. “Unë jam një njeri që dashurohem pas njerëzve. Kam edhe atë gjënë tjetër që kam filluar ta menaxhoj”, tha Çuli, duke pasur parasysh gjaknxehtësinë, që e ka karakterizuar për vite, por që tanimë në pozicionin e drejtorit do t’i duhet ta menaxhojë mirë.
“Kush s’punon, nuk merr rrogë në Teater
Pas “kalimit të butë” të detyrës nga ish-drejtori Kristaq Skrami te Hervin Çuli, ky i fundit kërkon pak kohë “të marrë frymë”, përpara se të parashtrojë të gjithë hapat që do të marrë, në përputhje edhe me platformën që e nxori atë fitues. Por, pas fjalës së parë si drejtor, pa dyshim që i ka ca përjetime për t’i ndarë. “Personalisht provova emocion, pasi kthehem në këtë institucion pas 7 vjetësh dhe jam në krye të tij, si drejtor i Teatrit Kombëtar. Për atë çka i takon marrëdhënies me trupën, administratën, teknikën, atë që tashmë është përkufizuar si “kontratat”, do të thosha që është një proces. Nuk kam ardhur këtu për të hequr individë të veçantë nga puna, por për të kryer një proces, i cili duhet të jetë i kujdesshëm dhe do kohën e vet. Ndaj dhe para tyre premtova se për mua ka rëndësi ajo që ne do të ndërtojmë duke punuar dhe nuk ka rëndësi asnjë lloj paragjykimi i krijuar për heqjen nga puna të njërit apo tjetrit. Unë vij në këtë detyrë për të motivuar një grup njerëzish, për ta ndryshuar Teatrin Kombëtar”, tha Çuli. Siç e ka theksuar edhe në platformën e tij, ai u shpreh se “në Teatrin Kombëtar nuk do të merren më rroga pa punuar”. Sa u takon punëve të para që ai do të bëjë në TK, ai tha se lidhen me emergjencat e në rastin konkret me kushtet e punës. “Do të skanoj ambientet e punës. Së pari kaldajën”, tha Çuli, me qëllim zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha të TK, që është ngrohja.
Lamtumira e Kristaq Skramit, uron pasardhësin
Me një gjest qytetarie i ka lënë stafetën pasardhësit, ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami. Pasi falënderoi ministren Kumbaro për vlerësimin që i bëri punës së tij në këto vite, që ai i quajti një sfidë të jashtëzakonshme dhe pasi shprehu mirënjohjen për të gjithë ata artistë, që nga aktorët, regjisorët, skenografët e me radhë, deri te punëtorët e skenës, për të gjitha punët e mira, shumë të mira e ndonjëherë jo edhe aq, Skrami uroi pasardhësin. “Duke pasur parasysh platformën dhe synimet ambicioze të drejtorit të ri, uroj që në bashkëpunim me gjithë komunitetin artistik, të bëjë më të mirën për Teatrin Kombëtar. Të përfitojmë nga rasti që ministrja e Kulturës është këtu, që t’i kërkojmë që të jetë më pranë TK-së dhe ta mbështesë edhe financiarisht dhe buxheti i teatrit të vijë duke u rritur dhe jo duke u ulur”, tha Skrami.
Çuli në gjyq me Teatrin
ALMA MILE
© Panorama.al











