Kur një sistem juridik nuk është konform nivelit të zhvillimit shoqëror të një populli, konform mentalitetit të tij, atëherë gjithmonë dalin probleme, prodhohet krizë. Kjo është njësoj sikur këpucët nuk i ke me numrin e këmbës dhe të shkaktojnë siklet vazhdimisht. Kushtetuta e Shqipërisë duhet të ndryshojë sa më parë dhe Presidenti duhet të zgjidhet drejt nga populli. Kjo formë i përgjigjet konstruktit mendor të shqiptarëve për të siguruar baraspeshën e funksionimit të institucioneve në Shqipëri.
Pavarësisht se kush është Kryeministër i Shqipërisë, duhet të sigurohemi nga tendenca që Kryeministri i Shqipërisë të jetë de facto edhe President i Shqipërisë, duke e shndërruar Presidentin de jure vetëm në një kukull politike.
Përvoja me presidentët e deritanishëm
Në fakt, që nga zgjedhja e Presidentit Meidani kjo ka qenë vetëm një tendencë, sepse realiteti ishte krejt ndryshe. Presidenti Meidani ishte i pari që provoi të mos jetë një kukull e Kryeministrit Fatos Nanos. Edhe pse konflikti me mes Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit nuk shfaqej aq hapur në publik si ky mes Sali Berishës dhe Bamir Topit, ai ekzistonte dhe shkaktonte telash në funksionimin e shtetit. Si pasojë, Presidenti Meidani nuk u rizgjodh.
Presidenti vijues, gjenerali Alfred Moisiu, u zgjodh me konsensus i propozuar nga Sali Berisha, por edhe ky ndoqi rrugën e Meidanit dhe nuk u rizgjodh as ky.
Presidenti i tanishëm, Bamir Topi, u zgjodh nga Kryeministri Berisha, por edhe ky i ktheu shpinën Berishës dhe nuk do të rizgjidhet.
Konflikti President – Kryeministër
Shtrohet pyetja: a ka Shqipëria interes që numri 1 dhe numri 3 i shtetit të jenë në konflikt të përhershëm? Përgjigjja është: jo. Nuk është interes i Shqipërisë që Presidenti të jetë një kukull e Kryeministrit, por nuk është interes i Shqipërisë që numri 1 dhe numri 3 i shtetit të jenë në konflikt të përhershëm.
Kjo do të ndodhë gjithnjë në Shqipëri derisa Presidenti do jetë i zgjedhur nga Parlamenti.
Çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri dhe çfarë është e pritshme të ndodhë?
Presidenti i ri duhet të zgjidhet dhe nuk ka kohë që Kushtetuta të ndryshojë. Mundësitë janë që Presidenti i ri të zgjidhet me konsensus apo me shumicë të thjeshtë. Të jetë një njeri nga politika apo jashtë saj, të jetë ndonjë figurë publike që nuk e ka provuar politikën.
President nga jashtë-politika
Nëse zgjidhet një njeri nga jashtë-politika, ai, pavarësisht reputacionit publik, realisht nuk do ta ketë fuqinë e mjaftueshme politike për të funksionuar si institucion i pavarur. Ai thjesht do të ishte kukull në duart e Kryeministrit, pavarësisht nësë do të jetë i propozuar nga Kryeministri apo nga opozita.
Ismail Kadare
Nuk është i paarsyeshëm refuzimi i Ismail Kadaresë për të qenë President i Shqipërisë. Ai di këtë, ose e ndien këtë me shqisën e artistit, dhe nuk dëshiron ta përdhosë vetveten.
Dhe kur Ismail Kadare me gjithë reputacionin e tij ndërkombëtar nuk guxon t’i futet një aventure të tillë, atëherë cilido personalitet tjetër publik jashtë politikës nuk do të mund të ishte më tepër se kukull e Kryeministrit.
Nëse Presidenti zgjidhet nga politika, ai ka mundësi të jetë o nga e majta, o nga e djathta. Nëse do të jetë nga e majta, ai do të konfliktohet me Edi Ramën dhe nëse do të jetë nga e djathta, do të konfliktohet me Sali Berishën.
President nga politika
Dy janë kandidatët e përfolur dhe të mundshëm për postin e Presidentit të Shqipërisë: Fatos Nano dhe Jozefina Topalli. Të dy janë figura të fuqishme politike dhe telashet e tyre me Sali Berishën e Edi Ramën do të jenë të pashmangshme.
Fatos Nano e Jozefina Topalli
Fatos Nano ka sprovuar të gjitha postet politike dhe të qenët President i Shqipërisë për të nuk është ndonjë sfidë e veçantë.
Jozefina Topalli ka përparësinë e të qenët femër. Jetojmë akoma në një glob ku dominon patriarkalizmi dhe prezantimi i një vendi të vogël, siç është Shqipëria, me një femër, është përparësi. Është edhe një aspekt tjetër formal. Që nga themelimi i shtetit shqiptar nuk kishim asnjëherë President katolik. Të gjithë ishin o myslimanë, o ortodoksë. Zgjedhja e Jozefinës do të plotësonte edhe këtë zbrazëtirë në historikun e shtetit shqiptar.
Por, a do ta bëjë këtë Sali Berisha, është shumë me pikëpyetje. Jozefina Topalli është krahu i djathtë i Sali Berishës në PD. Nëse Jozefina bëhet Presidente, Berisha jo vetëm që do të humbë krahun e vet të djathtë, por rrezikon të krijojë edhe një armik të fuqishëm, siç i ndodhi me Bamir Topin.
Në anën tjetër Berisha ka refuzuar kandidaturën e Fatos Nanos. A është kjo vetëm një lojë, apo Sali Berisha mendon të bëjë edhe një përpjekje të tretë për të bërë një President kukull, mbetet të shihet. Ndoshta Sali Berisha mendon se “e treta e vërteta” mund të shkrepë kësaj radhe. Një gjë është e sigurt. Nëse Fatos Nano zgjidhet President i Shqipërisë, Shqipëria nuk do të ketë një President kukull, por Edi Rama do të ketë telashe me të mëdha se sa Sali Berisha.
© Panorama.al












