“Një president nga maxhoranca, do paragjykohej”

May 18, 2012 | 18:27

UPDATE- Presidenti Bamir Topi tha sot se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri duhet të jetë një proces serioz, i kujdesshëm dhe me një konsensus sa më të gjerë.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, kreu i shtetit, theksoi se nëse presidenti do të ishte një ndërmarrje e thjeshtë maxhoritare, sipas tij, më e pakta që mund të ndodhte do të paragjykohej.

Zgjedhja e presidentit të ri është shumë e rëndësishme, tha Topi, edhe për sa i përket rëndësisë së institucioneve të pavarura, në mënyrë që të rritet pavarësia dhe integriteti i tyre.

Lidhur me krizën ekonomike, Topi tha se Shqipëria ka patur një ecuri relativisht pozitive, por gjithsesi sipas tij, vendi ka arsye të forta të ndihet i kërcënuar nga kriza.

“Kjo është një krizë globale, ka prekur vende të rëndësishme të BE-së, vende që janë fqinjë me Shqipërinë, në kontekstin e fundit do ta lidhja me një prani të madhe të emigracionit shqiptarë në Itali dhe Greqi.”- tha Topi.

Ai theksoi se të gjithë duhet të jenë sensibël në këtë situatë, pasi askush nuk është i imunizuar nga kriza, aq më shumë që krizat lidhen edhe me një paqëndrueshmëri të fortë politike, siç është rasti i Greqisë.

Pyetjes, nëse sistemi i drejtësisë ka dështuar në Shqipëri, Topi u përgjigj se nuk do të ishte kaq kategorik.

“Unë mendoj se zërat që e identifikojnë drejtësinë si një çështje e cila ka nevojë të rigjenerohet, janë zëra racional. Edhe drejtësia që të rigjenerohet, duhet patjetër që të jetë produkt i një bashkëpunimi të të gjithë zërave politikë dhe institucioneve.” – tha ai. Presidenti i cilësoi shumë të rëndësishme reformat në sistemin e drejtësisë, të cilat sipas tij, duhet të fillojnë me heqjen e imunitetit,  në mënyrë që politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët të ndihen si qytetarët, pasi kështu do të ndihen më të përgjegjshëm.

Pyetjes se sa përgjegjës ndihet ai për këtë nivel të drejtësisë në Shqipëri, Topi tha se “asnjë nga aktorët e rëndësishëm institucional, kur gjendja e drejtësisë është e tillë nuk ndihet rehat.”  Sipas tij, në kuadër të reformave duhet të ketë edhe një mirëkuptim politik, te te gjithë aktorëve, parlamentit, presidentit e të tjerëve,  duhet të jenë në sinkron për të parë se ku është gabuar dhe si duhet punuar më tej.

Lidhur me vendin vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Topi tha se askush nuk duhet të mendojsë se dikush tjetër qe vjen mbrapa duhet të bëjë emërimet.

“Puna e tjetrit fillon kur i vjen afati kushtetues. Kjo është një çështje e performancës së institucioneve. KLD do ta marrë në shqyrtim edhe këtë çështje, sepse nuk mund të funksionojë kur institucionet nuk plotësohen.

Pas dorëheqjes së njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti u shpreh se njëri prej emrave i është ridërguar parlamentit.

“Tani çështja është në parlament. Nuk ka asnjë lloj inufiçence në komunikimin mes këtyre institucioneve. E ka në dorë parlamenti. Kushtetuesja duhet të funksionojë në kapacitet të plotë.”- tha ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura