Presidenti i Panamasë: Stërvitjet ushtarake amerikane nuk përbëjnë kërcënim për Venezuelën

Nov 13, 2025 | 22:48

Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, deklaroi sot se stërvitjet ushtarake që po zhvillojnë forcat e armatosura amerikane në territorin panamez nuk përbëjnë asnjë akt armiqësor ndaj Venezuelës.

panama

Trupat amerikane kanë zhvilluar këtë vit stërvitje mbijetese dhe taktika luftarake në xhunglën Darien — zonë kufitare me Kolumbinë — si dhe në një bazë policore në brigjet e Karaibeve. Manovrat ndodhën në një periudhë kur SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Karaibe, me qëllim zyrtar luftën kundër karteleve të drogës.

Megjithatë, qeveria e Venezuelës e ka interpretuar këtë si pjesë të një strategjie amerikane që synon rrëzimin e presidentit Nicolás Maduro.

“Panamaja nuk e vë territorin e saj në dispozicion për asnjë akt armiqësor ndaj Venezuelës apo ndonjë vendi tjetër në botë,” theksoi presidenti Mulino në konferencën e tij të zakonshme javore për shtyp.

Në prill të këtij viti, Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak, e cila u jep amerikanëve të drejtën të dislokojnë forca në zonën përreth Kanalit të Panamasë, pas kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump. Marrëveshja parashikon që SHBA të përdorë bazat ajrore dhe detare panameze për stërvitje gjatë tre viteve të ardhshme.

“Nuk ekziston asnjë prani ushtarake në Panamë që të mos jetë e miratuar nga qeveria jonë,” sqaroi më tej presidenti José Raúl Mulino.

© Panorama.al

Te lidhura