Presidenti Begaj pritet nga komuniteti shqiptar në Philadelphia të SHBA-së: Falenderim për mbrojtjen e identiteti kombëtar dhe transmetimin e gjuhës shqipe

May 23, 2025 | 18:16

Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, iu rezervua një pritje e përzemërt nga komuniteti shqiptar në Philadelphia, të cilën e vizitoi ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton.

begaj

Fëmijët e këtij komuniteti kënduan himnin shqiptar, atë amerikan dhe këngë patriotike në ceremoninë e organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”.

Presidenti i Republikës i përgëzoi ata për mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e hapur nga kjo shoqatë: “Falënderim dhe mirënjohje për secilin, nga ju, secilin nga ju që është këtu, secilin shqiptar që jeton e punon në Philadelphia, për të gjithë punën që bëni, për gjithçka që bëni për të promovuar dhe mbrojtur identitetin kombëtar. Një falënderim i veçantë për mësuesit e gjuhës shqipe, ata mësues që kanë mësuar nxënësit të këndonin aq bukur në shqip”.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj risolli në vëmendje rrugëtimin e Diasporës, duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve që i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Amerikës që nga fundi i shekullit XIX.

Presidenti Begaj theksoi kontributin e shqiptarëve që emigruan më vonë, të cilët i dhanë një hov të ri komunitetit tonë duke rritur numrin e organizatave dhe shkollave shqipe: “Është një histori që meriton mirënjohje dhe vlerësim maksimal. Duke ardhur nga kaq larg, shumëkush do të mendonte se mund të ishim asimiluar, por jo, përkushtimi juaj, përkushtimi i prindërve të atyre fëmijëve që ne pamë sot bënë të mundur të vazhdojë shqiptaria, të jetë brez pas brezi. Shumë faleminderit që kontribuoni edhe për shtetin amë!”

Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar:  “Falënderim, vlerësim dhe mirënjohje për  Diasporën e shqiptarisë kudo ku ajo është! Jeni burim frymëzimi, jeni energji e pashtershme, jeni kontribut i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për shqiptarinë, për identitetin tonë kombëtar”.

Një falënderim të posaçëm Presidenti Begaj përcolli dhe për autoritetet lokale amerikane në Philadelphia, të cilat kanë mbështetur projektet e Diasporës, përfshirë dhe emërtimin e “Willits Road” me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Presidenti i Republikës vizitoi qendrën “Shtëpia e shqiptarit”, të ngritur nga shoqata “Bijtë e Shqipes”.

© Panorama.al

Te lidhura