Aktivisti Ilir Xhemalaj, ka reaguar pas deklaratës së fundit të Policisë së Shtetit lidhur me hetimet për aktivitetin në rrjetet sociale, ku sipas bluve, dhjetëra llogari ditët e fundit kanë bërë vlerësime negative ndaj bizneseve vendase.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhemalaj shprehet se deklarata e Policisë ngre një pyetje të thjeshtë: “A po hetohen krimet kibernetike, apo po intimidohen qytetarët që shprehin mendimin e tyre?”
Sipas tij, prej vitesh propaganda shtetërore është mbështetur nga “ushtri patronazhistësh, faqe të sponsorizuara, profile të koordinuara dhe administratë që përdoret për të bërë like, share dhe komente në favor të qeverisë”, ndërsa, sipas tij, për këto raste nuk ka pasur as hetime dhe as reagime nga institucionet.
Xhemalaj thekson se ai dhe aktivistë të tjerë kanë qenë vazhdimisht objekt i sulmeve të koordinuara në rrjetet sociale, duke u përballur me denigrim, raportime masive dhe profile të rreme, pa pasur reagim nga Policia e Shtetit.
“Sot, sepse qytetarët po reagojnë lirshëm dhe zemërimi ndaj qeverisë nuk fshihet më, na thuhet se mijëra komente dhe vlerësime duhen hetuar”, shprehet ai.
Më tej, Xhemalaj sqaron se askush nuk mbron profilet e rreme apo manipulimin e organizuar dhe se çdo shkelje e ligjit duhet të hetohet, por, sipas tij, ligji nuk duhet të përdoret për të frikësuar qytetarët që kritikojnë pushtetin.
Në reagimin e tij, Xhemalaj i bën thirrje Policisë së Shtetit që të mbrojë qytetarët dhe jo, sipas tij, imazhin politik të qeverisë.
“Institucionet nuk duhet të përdoren për të heshtur zërat kritikë. Liria e shprehjes nuk është krim. Kritika nuk është krim. Frikësimi i qytetarëve është rruga e gabuar. Zëri i qytetarëve nuk intimidohet”, shkruan ai.
Postimi i plotë i Ilir Xhemalajt:
Kur komentet nuk kontrollohen më, pushteti kërkon të kontrollojë komentuesit.
Deklarata e Policisë së Shtetit ngre një pyetje të thjeshtë: a po hetohen krimet kibernetike, apo po intimidohen qytetarët që shprehin mendimin e tyre?
Për vite me radhë kemi parë me sytë tanë se si propaganda shtetërore është ushqyer nga ushtri patronazhistësh, faqe të sponsorizuara, profile të koordinuara dhe administratë që përdoret për të bërë like, share dhe komente në favor të qeverisë. Për këtë nuk kemi dëgjuar asnjë konferencë shtypi, asnjë hetim dhe asnjë alarm.
Ne, si aktivistë, kemi qenë vazhdimisht objekt i sulmeve të koordinuara në rrjetet sociale. Jemi denigruar, raportuar masivisht, sulmuar nga profile të rreme dhe nga makineria propagandistike. Atëherë Policia nuk foli.
Sot, sepse qytetarët po reagojnë lirshëm dhe zemërimi ndaj qeverisë nuk fshihet më, na thuhet se mijëra komente dhe vlerësime duhen hetuar.
Askush nuk mbron profilet e rreme apo manipulimin e organizuar. Nëse ka shkelje të ligjit, ato duhet të hetohen. Por ligji nuk mund të përdoret si armë për të frikësuar qytetarët që kritikojnë pushtetin.
Demokracia nuk matet me numrin e pëlqimeve që merr Kryeministri. Demokracia matet me aftësinë për të pranuar kritikat, edhe kur ato janë të forta, të shumta dhe të pakëndshme.
Policia e Shtetit duhet të mbrojë qytetarët, jo imazhin politik të qeverisë. Institucionet nuk duhet të përdoren për të heshtur zërat kritikë.
Liria e shprehjes nuk është krim. Kritika nuk është krim. Frikësimi i qytetarëve është rruga e gabuar.
Zëri i qytetarëve nuk intimidohet
© Panorama.al












