Gjendet në rezervuarin e Kamenicës trupi i pajetë i 54-vjeçarit nga Korça, i zhdukur që prej 26 janarit.

Palombarët nisën mesditën e sotme kërkimet në rezervuarin e fshatit Kamenicë.
54-vjeçari u shpall i humbur nga familjarët që në datë 26, me policinë që kishte dyshime që shtetasi Valter Lame të kishte humbur jetën në këtë rezervuar.
“Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas mund të jetë vetëmbytur në rezervuar”, njofton policia.
Pak para se të gjendej trupi i pajetë i 54-vjeçarit, babai i të ndjerit tha se djali i tij dhimbje të forta koka.
I ati tha se muajin e fundit e kishte dërguar Valterin në urgjencë mbi pesë herë. Ndërkohë që zbuloi se gjatë tre muajve i biri i ishte nënshtruar analizave dhe skanerëve.

“Valteri jetonte me mua. Ndonjë problem nuk kishte por ka shfaqur edhe dhimbje koke dhe e çoja në spital urgjent çdo dy – tre ditë nga 20 mijë lek paguaja. Ambulanca më vinte këtu, i bëri një gjilpërë qetësuese, atje e kam shpënë, nuk ma mbanin, i bënin një qetësues edhe iknim. Kam edhe skanerin dhe analizat, do ta shpija një datë kam tre muaj, do ta çoja në datën 6 shkurt ma dha urgjent një doktor që t’ja bëja dhe më pas do e çoja në Tiranë Kam 20 e ca ditë mund ta kem shpënë 5-6 herë”, tha babai i Valter Lames.
Njoftimi i policisë
Korçë
Në lidhje me njoftimin e dhënë më datën 28.01.2025, për largimin nga banesa të shtetasit V. L., 54 vjeç, banues në Kamenicë, i cili edhe pas kërkimeve nga familjarët dhe Policia nuk u gjet ju informojmë se:
Ditën e sotme Polumbarët e Reneas, kanë kryer kërkime në rezervuarin e fshatit Kamenicë, ku kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të pajetë të shtetasit V.L, nga rezervuari i fshatit Kamenicë.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas mund të jetë vetëmbytur në rezervuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
© Panorama.al











