Preç Zogaj kritikon zgjedhjet në PD: Po e zvogëlon partinë duke përjashtuar kandidatët! Është e gjitha një farsë! S’e kuptoj pse nuk e lejon garën!

May 1, 2026 | 12:41

Analisti Preç Zogaj ka folur për garën e pritshme brenda Partisë Demokratike dhe përjashtimin e Ervin Salianjit dhe zërave të tjerë kritik nga zgjedhjet për kryetarin e PD-së.

berisha prec zogaj

Zogaj e ka quajtur si farsë garën mes Sali Berishës dhe mjekes, Mereme Sela, ndërkohë që iu refuzua kandidimit Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut.

Analisti tha se këto që organizojë PD-ja “janë demek zgjedhje” qe sipas tij bëhen “sa për të kryer një adet”. Ai ka thënë se ndalimi i garës po e zvogëlon partinë, ndërkohë që lirinë për të garuar e kishte premtuar kur rimori PD-në me Rithemelimin.

“Nuk ke ç’të mendosh këtu. Është e gjitha një farsë. Janë demek zgjedhje sa për t’i hequr, për të bërë adetin. Nuk jam i befasuar. Berisha e mori partinë kur nuk e kishte, për t’u mbrojtur, do të ishte naive ta lëshonte tani që e ka, kur përsëri i duhet për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe efektet e sanksionimit. Nuk ka ndryshuar asgjë.

Gjithë programi i Rithemelimit me shpalljet e bukura, që kryetari që humbet zgjedhjet dorëhiqet, që partia do të hapet, legalizon diversitetin e mendimeve, garën e lirë, të gjithë këto kanë qenë dhe e kam ditur që ishin parrulla për të marrë votat dhe partinë.

Nuk është më problemi i Berishës, por i atyre që kanë brohoritur për këto shpallje në stadium. Sidomos neni i dorëheqjes është brohoritur fort. Por kështu do të ndodhte. Është skemë zvogëlimi. Është në rutinë të plotë ky kandidim, apo refuzimi i garës në PD. Kemi rënë në rutinën e komenteve të gjithë janë të bezdisur.

Por,  është një skemë zvogëlimi, që e zvogëlon PD-në, të ndalosh garën. Garat e hapura e energjizojnë një parti, anëtarësinë dhe njerëzit që e ndjekin nga jashtë këtë spektakël. Këtu ka ndodhur e kundërta.

Në këto përmasa nuk mbaj mend të ketë ndodhur asnjëherë, të përjashtohen kandidatë që kanë shpallur kandidaturën. Jam i çuditur, sepse në bindjen time, siç është sot PD, Berisha nuk sfidohet, në kuptimin që ta mundë ndonjë prej kandidatëve.

Nuk besoj se ka aty ndonjë situatë që ta mundin. Prandaj nuk e kuptoj pse nuk e lejon garën”- tha Zogaj në emisionin Të Pa Ekspozuarit.

© Panorama.al

Te lidhura