Antikorrupsioni, Pollo: Kufizim imunitetit

Nov 11, 2011 | 11:06

TIRANË- ‘Pro kufizimit të imunitetit në kuadër të luftës pa kompromis kundër korrupsionit’.

Kështu është shprehur sot ministri për Teknologjinë dhe Inovacionin, Genc Pollo, gjatë takimit të gjashtë të Grupit Drejtues të Projektit kundër korrupsionit në Shqipëri.

Në takim ka qenë i pranishëm edhe zv/ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Brusa, i cili ka ndarë të njëjtin mendim për imunitetin dhe ka kërkuar nga Shqipëria të bëjë gjithçka duhet për të luftuar korrupsionin.

Sipas tij, deri tani zbatimi i masave antikorrupsion ka qenë i pamjaftueshëm, ndaj kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve është me rëndësi të madhe. “Korrupsioni mbetet problem në shumë fusha. Pengesa sjell moskufizimi i imunitetit të gjyqtarëve e deputetëve. Prandaj autoritetet duhet të marrin masa për kufizimin e imunitetit dhe luftën ndaj korrupsionit”, theksoi ai.

Ndërkohë ministri Pollo ka kujtuar porositë e lëna nga progres raporti pikurish në pjesën e korrupsionit dhe luftës ndaj tij. “Që të luftohet korrupsioni, jemi pro kufizimit të imunitetit për gjyqtarët e deputetët. Edhe raport-progresi thekson se në gjyqësor duhet të merren masa antikorrupsion”, tha Pollo, duke i kërkuar opozitës bashkëpunim dhe të mos vendosë kushte shtesë për imunitetin.

© Panorama.al

Te lidhura