Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në simbolet, gradat dhe uniformën e Policisë së Shtetit.Duke bërë disa ndryshime në vendimin e mëparshëm (të vitit 2007) që përcaktonte uniformën, gradat dhe simbolet e tanishme të policisë, dje qeveria vendosi që “uniforma e policisë të jetë me ngjyrë blu të errët, me sistemin RGB, kodin 25-25-112, HEX # 191970.”. Ky kod, sipas manualit të ngjyrave, i përket kolorit blu të errët, ngjyrë të cilën do ta ketë tani e tutje uniforma e re e policisë, e cila është në proces prodhimi. Po kështu, qeveria ndryshoi dje edhe emblemën e policisë. Sipas vendimit të qeverisë, emblema e Policisë së Shtetit do të përbëhet nga: shqiponja dykrenore me ngjyrë të zezë, mbi të cilën është vendosur një mburojë me ngjyrë blu, e rrethuar nga të dyja anët me gjethe dushku. Në emblemë do të vendoset përkrenarja e Skënderbeut me ngjyrë të artë, e stilizuar, e vendosur në një fushë me ngjyrë të kuqe. Në pjesën e poshtme, mbi një shirit ngjyrë blu, është shkruar me shkronja të mëdha fjala “POLICIA”.
Gradat
Vendimi i qeverisë ndryshon paraqitjen dhe simbolet e gradave të policisë. Kështu, gradat e nivelit të mesëm drejtues të jenë me fushë në ngjyrë blu të errët, mbi të cilën janë vendosur shqiponja e rrethuar nga degë dushku me ngjyrë të artë dhe yje me ngjyrë të artë, me konturim me shirit në ngjyrë të artë, ku ndryshimi do të përcaktohet nga numri i yjeve, sipas gradave brenda nivelit. Konkretisht, grada “Drejtues” ka një yll dhe grada “Drejtues i parë” ka dy yje. VKM, i miratuar dje nga qeveria, përcakton modelin e ri për gradat punonjës policie, të nivelit të lartë drejtues. Ato do të jenë me fushë në ngjyrë të argjendtë, mbi të cilën janë vendosur shqiponja, e rrethuar nga degë dushku me ngjyrë të artë, dhe yje me ngjyrë të artë, me konturim me shirit në ngjyrë të artë, ku ndryshimi do të përcaktohet nga numri i yjeve, sipas gradave, brenda nivelit, ku grada “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” ka një yll dhe grada “Drejtor i Përgjithshëm” ka dy yje.
Numri personal i policit
Në vendimin e qeverisë përcaktohet edhe numri personal i punonjësit të policisë. Ai përmban logon e policisë, numrin e identifikimit, me pesë karaktere, të shkruar me ngjyrë të bardhë në një sfond blu të errët, me konturim me shirit në ngjyrë të kuqe.
Emblema e Policisë së Shtetit
Përbëhet nga shqiponja dykrenore me ngjyrë të zezë, mbi të cilën është një mburojë me ngjyrë blu, e rrethuar nga dy anët me gjethe dushku, dhe përkrenarja e Skënderbeut me ngjyre të artë, e stilizuar dhe e vendosur në një fushë me ngjyrë të kuqe. Në pjesën e poshtme, shkruhet fjala “POLICIA”.
Simbolet e gradave
Gradat e nivelit të mesëm drejtues të jenë me fushë në ngjyrë blu të errët, mbi të cilën janë vendosur shqiponja e rrethuar nga degë dushku me ngjyrë të artë, dhe yje me ngjyrë të artë, me konturim me shirit në ngjyrë të artë, ku ndryshimi do të përcaktohet nga numri i yjeve, sipas gradave brenda nivelit.
© Panorama.al











