Poeti Valeri Larbo, vizionet utopike për Shqipërinë në vitet ‘30

Oct 12, 2011 | 12:17
Shkrimtari francez Valeri Larbo

Do kishim qenë vërtet me fat sikur, përveçse një dashamirës i shqiptarëve dhe një shkrimtar i mirë, Valeri Larbo (Valéry Larbaud) të ishte edhe një parashikues i mirë. Ishte viti 1935, kur shkrimtari dhe poligloti francez mbërriti në Shqipëri me ftesë të konsullit francez në Tiranë, Marcel Ray. Ndenji një javë, kohë e mjaftueshme për t’u shënuar në ditarin e tij të udhëtimeve prej 1600 faqesh. Dhe këtë pjesë e ka quajtur pikërisht “Java jonë shqiptare”. Këto kujtime udhëtimi të shkrimtarit francez vijnë tashmë në gjuhën shqipe nën shqipërimin e përkthyesit Asti Papa dhe shtëpisë botuese “Dituria”. Larbo është një nga të shumtët udhëtarë, të cilët pas kthimit në vendin e tyre kanë hedhur në letër kujtimet nga vendi i “shqiponjave”, por ajo çka të bën përshtypje në pjesën shqiptare të “Ditarit” të Largo-së, është që ai flet jo vetëm me dashamirësi për Shqipërinë dhe shqiptarët, por ka një besim të jashtëzakonshëm në përparimin e saj. Ai bëhet një lloj “profeti”, por fatkeqësisht nuk mund t’ia merrte mendja se duhet të kalonin shumë dekada që vetëm disa nga parashikimet e tij të përmbusheshin, në një kohë që ca të tjera ende nuk janë realizuar. “…unë i shoh shqiptarët si europianë nga karakteri, nga aftësia për të kuptuar çështjet, nga toleranca, urtia dhe kureshtja, nga dëshira për të jetuar më mirë dhe për t’u pajisur me dituri, nga talenti i fshehur për artin dhe letërsinë. Ata janë europianë joperëndimorë, në rrugë e sipër për t’u “oksidentalizuar”…”, shkruan ndër të tjera Larbo. Mbështetur në këtë vlerësim që kishte për shqiptarët, ai parashihte që për 10 vjet Tirana do të ishte e urbanizuar, me rrugë të asfaltuara, me vila të këndshme anës tyre, por mbi të gjitha do të kishte një Bibliotekë Kombëtare, Teatër Mbretëror, një muze historie, një tjetër për pikturën etj. Ai parashihte se shqiptarët do t’i jepnin një rëndësi të veçantë kulturës, çka edhe sot e vëmë në dyshim…
Valeri Larbo, djalë i një dere të fisme, nisi të mësonte gjuhë të huaja qysh në fëmijëri, duke u kthyer në një poliglot të vërtetë. Fliste e shkruante lirshëm anglisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht. Pasi ndoqi liceun, kreu studimet e larta për Letërsi dhe më 1908 u diplomua për Letërsi angleze në Universitetin e Parisit, në Sorbonën e mirënjohur. Veprat letrare të mirëfillta të Valeri Larbosë nuk janë të shumta. Ato janë frymëzuar nga kujtimet dhe përshtypjet e fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë, pra lidhen me jetën shkollore si dhe, më pas, me udhëtimet në vise të ndryshme. Por krijimtaria e tij nuk mund të quhet e plotë pa ditarët. Ata përmbajnë shënime të mbajtura me hope, duke filluar nga viti 1901 e deri më 1935, shpesh me rastin e ndonjë udhëtimi. Një ndër ta ishte edhe ai në Shqipëri. Larbo mbërriti nga Bari në Durrës të enjten, në 17 qershor 1935. Mbërritja e tij u vonua 24 orë për shkak të një “incidenti diplomatik”. Shqipëria nuk figuronte në pasaportën e tij si pikë mbërritjeje. Por problemi u zgjidh shpejt dhe Larbo nisi rrugëtimin e tij, ku u ndal më së shumti në Tiranë, por vizitoi edhe qytete të tjera, si: Durrësi, Elbasani, Kruja, Shkodra etj. Ai nuk ndalet të shohë rrugët me baltë, kafenetë e pista, zakonet e trashëguara otomane, mesjetare… Për të Shqipëria është një kënd i Europës, që ka nevojë për një dorë, për t’u ngritur. “…ajo është një copëz e vogël dhe e bukur e Europës sonë, një pjesë e papërfillur dhe e lënë pas dore për një kohë të gjatë, është një copë djerrinë e Europës, që më së pari duhet mbarështuar, duhet punuar, thjesht duhet pajisur me të gjithë komfortin modern, si dhe me të gjithë nivelin e jetës morale dhe intelektuale për të cilën kanë të drejtë europianët”, shkruan Larbo.

Pjesë nga libri
Parashikimet e shkrimtarit francez

Titulli: "Java jonë shqiptare" Autor: Valery Larbaud Përktheu: Asti Papa Shtëpia Botuese: "Dituria" Numri i faqeve: 144 Çmimi: 600 lekë
“Ka të ngjarë, dhe këtë unë e uroj me gjithë zemër, që brenda dhjetë vjetëve Shqipëria t’i ketë hedhur tej zhelet e saj dhe që Tirana kaotike, e rrëmujshme, gjysmë koloniale – por edhe Bari është ende nja 3-4% kolonial – gjysmë perëndimore, siç jam rrekur ta shënoj këtu, do të paraqesë një farë interesi retrospektiv, i cili do ta habisë një të ri shqiptar, që nuk do ta ketë njohur Tiranën më parë, ose që e ka parë përciptazi në fëmijërinë e tij dhe e ka harruar atë kur është gjendur para realitetit fare të ndryshëm, ku ai ka kaluar adoleshencën e tij. Të gjitha rrugët do të jenë të asfaltuara, duke mos prishur për këtë rrugët e vogla dhe të vjetra; lagjet do të lidhen njëra me tjetrën, topografia do të jetë në rregull dhe Lana do të jetë e rregulluar dhe e kanalizuar; pemët e mbjella do të jenë rritur; bulevardi Zogu I dhe ai Musolini do të kenë anash, në të gjithë shtrirjen e tyre, shtëpi të mëdha e të rehatshme dhe vila me lulishte të bukura. I riu shqiptar që do të kthehet në vendin e tij pasi të ketë bërë studimet jashtë, do të gjejë edhe në vendin e tij një Muze të Lashtësisë shqiptare, të cilin ai mund ta shohë vetëm në Tiranë, si dhe një Bibliotekë Kombëtare, ku ai mund të lexojë punimet që i kushtohen historisë së vendit të tij, si dhe gjithë veprat e shkruara mbi Shqipërinë, të cilat po shtohen çdo vit. Letërsia në gjuhën shqipe do të ketë lexues në Europë dhe autorët shqiptarë do të përkthehen në gjuhët e mëdha të qytetërimit. Do të ketë një Teatër Mbretëror, një sallë koncertesh, do të flitet për ngritjen e një muzeu të pikturës shqiptare. Trupi diplomatik, bashkë me aristokracinë shqiptare do të formojë një shoqëri liberale, të hapur, sqimatare, kureshtare për ndodhitë kulturore. Dhe anëtarët e kësaj shoqërie do të kalojnë nëpër rrugë pa rënë në sy, do të shkojnë vetë nëpër dyqane e zyra për të kryer punët e tyre dhe nuk do të dërgojnë shërbyesit, do të nisen vetë, në këmbë, për të vajtur në bankë, në zyrën e postës, në pazar. Përparimet e bëra gjatë dhjetë vjetëve të pavarësisë, ose të shumtën gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve, lejojnë që të shpresohet për një përparim të tillë gjatë një periudhe të re dhjetëvjeçare. Agjencitë turistike do të dërgojnë nga Londra dhe Parisi turistë amerikanë, të cilët do ta gjejnë të pastër dhe të hijshëm, piktoresk dhe pa barbari këtë cep të kontinentit tonë. Ndonjë shkrimtar anglez ose francez, ose gjerman, do të vijë të kalojë këtu disa muaj, në një vetmi të bukur dhe të rehatshme, për të mbaruar librin e tij, për të cilin nuk mund të punojë më në rrëmujën e një kryeqyteti të madh”.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura