Poeti Tomas Transtromer, nobelisti më i ri i letërsisë

Oct 7, 2011 | 12:59

Akademia suedeze ka vendosur ta mbajë në “shtëpi” Nobelin për Letërsinë. Është pikërisht poeti suedez Tomas Transtromer fituesi për vitin 2011. Në motivacionin e Akademisë suedeze thuhet: “Përmes imazheve të fuqishme dhe të qarta, ofron një tjetër qasje në realitet”. Prej vitesh, Transtromer, tashmë 80 vjeç, ka qenë një nga pretendentët për çmimin e madh. Këtë vit ai ishte ndër katër pretendentët kryesorë, bashkë me Haruki Murakamin, Adonis dhe Bob Dylan. Pas fitores së një viti më parë të një shkrimtari nga Amerika Latine, kishte zëra se kësaj here fituesi do të ishte nga Europa Lindore dhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, ishte një ndër pretendentët. Megjithatë, Akademia Suedeze e tha fjalën e saj për Transtromer. “Nuk mendonte më se do ta ndiente këtë gëzim një ditë”, është shprehur bashkëshortja e poetit, Monica Bladh, për agjencinë suedeze “TT”, menjëherë pas njoftimit të lajmit për fituesin e këtij viti. I konsideruar si një nga poetët më të mëdhenj suedezë të gjallë, Transtromer ka lindur në Stokholm më 15 prill 1931. Vepra e tij, e shkruar kryesisht në varg të lirë, e frymëzuar nga udhëtimet nëpër botë e nga përvojat personale, endet mes modernizmit, ekspresionizmit dhe surrealizmit. I goditur nga një iktus në vitin 1990, Transtromer ka probleme me të folurin, ndaj dhe është e shoqja ajo që bën zëdhënësen e tij. Poeti suedez është laureuar për psikologji në Universitetin e Stokholmit më 1956-n dhe ka punuar në Institutin Psikoteknologjik të Universitetit, si dhe në një institut “riedukimi” për të miturit në Roxtuna. Si poet ka debutuar në moshën 23-vjeçare me një përmbledhje poezish. Nga mesi i viteve ’60 u dyzua mes poetit dhe psikologut. Është nderuar me çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, një çmimi letrar i është vënë emri i tij. Veprat e tij janë përkthyer në 50 gjuhë të botës.

© Panorama.al

Te lidhura