
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha në një leksion në universitetin “Epoka”, se censusi, nga një proces rutinor, u kthye në një proces ku duhet mbrojtur identiteti kombëtar. “Siç duhet ta dini, kudo ky procès është rutinor, një ushtrim sistematik i zyrave të statistikave në një vend të caktuar. Por, tek ne u shndërrua në një moment lufte për mbrojtjen e interesit kombëtar. Pse? Përfshirja e vendeve fqinje drejtpërdrejt apo nëpërmjet emisarëve të vet, me një arrogancë të jashtëzakonshme në diskutimet për regjistrimin, është motivi kryesor”, tha Idrizi. Sipas tij, “censusi i popullsisë nuk mund të na ndajë në shqiptarë, grekë, vlleh e malazezë. Nuk mund të na ndajë në myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj apo bahai. Dhe pa pandehur kemi dy ditë që flasim edhe për gegë dhe toskë. Sot rikujtoj thënien e një ambasadori mik të shqiptarëve, i cili kërkoi nga shqiptarët të flasin gjuhën e bashkimit dhe sot të gjithë duhet të flasim atë gjuhë. Është sërish i njëjti ambasador, e kam fjalën për ambasadorin e Bashkimit Europian, i cili pak kohë më parë, kur Shqipëria ishte në tension për 10 vota, kërkoi që të vendosen interesat kombëtare mbi interesat e partive, pra një ambasador i huaj i kërkon klasës politike shqiptare që të jetë patriote shqiptare. Mund të kuptojmë lehtë se si funksionon politika shqiptare”, u shpreh Idrizi. Sipas tij, të gjithë këto vijnë si pasojë e një mungese patriotizmi ose patriotizmi të shtirur dhe vijoi se PDIU vendosi që të ndjekë rrugën ligjore për të vendosur në vend të drejtat e shqiptarëve. “Për të ndaluar të gjitha këto, PDIU-ja, kjo parti doktrine kombëtare, parti e patriotizmit modern shqiptar, propozoi amendamentet e ligjit për regjistrimin. Ne shfrytëzuam faktin se jemi parti që kushtëzon ekzistencën e maxhorancës dhe imponuam ndryshimet tona të konsultuara me ekspertët më të mirë kushtetues dhe të tjerë. Ne nuk zgjodhëm rrugët propagandistike. Ne nuk bëmë propagandë, por aksion politik. Ne bllokuam ligjërisht përpjekjet politike të atyre faktorëve ndërkombëtarë që treguam më sipër”, tha ai. Idrizi theksoi se ky kërkesat për census me vetëdeklarim janë që në koncept të gabuar dhe se kemi të bëjmë me vetëdeklarim, dhe jo vetëpërcaktim. “Mungon një koncept ligjor i qartë dhe objektiv i kombësisë. Ajo duhet të saktësohet vetëm në zyrën e gjendjes civile mbi bazën e dokumenteve, dhe jo mbi bazë vetëshpalljesh momentale të frymëzuara nga emocionet apo nga shtrëngesat e tranzicionit”.











