Në ditët e përmbytjeve masive nga reshjet e dendura e të zgjatura të muajit janar, kryeministri ngriti me të drejtë alarmin për këtë situatë, por ajo nuk duhet të ketë vetëm dimension empirik e sensibilizues të ndërgjegjes së qytetarëve tanë, një pjesë prej të cilëve as nuk i njohin dëmet e kësaj situate dhe as nuk kanë veshë të dëgjojnë për përmasat realisht shqetësuese për dëmet natyrore, ambientale dhe me efekt ekologjik perspektiv. Personalisht mendoj se problemi është më i thellë se propaganda e ditës, apo keqardhjet për dëmet apo sensibilitet humane kalimtare.
Besoj, pa dashur të jap mend, por si sociolog, duke e parë në mënyrë më të përgjithshme situatën, tendencën, intensitetin në rritje të ndotjes progresive dhe të pandalshme të ambienteve kudo e ngado Shqipërisë, në toka, natyrë, ujëra, përrenj, lumenj e dete gjykoj se ndodhemi në një situatë të sigurt të krizës ekologjike, sepse janë shtuar në përmasa të frikshme dhe fare kaotike janë zgjeruar ndotjet urbane. Në këto kushte, mendoj se është koha për të kapërcyer reagimet spontane e sensibilitetet e sipërfaqshme mediatike, si parakusht dhe kusht thelbësisht ekzistencial për të rindërtuar një strategji komplekse qytetare, kulturore, arsimore, ligjore, institucionale dhe ekologjike, e cila të bëjë të mundur dominimin e kësaj situate alarmante, duke evidentuar shkaqet dhe pasojat e kësaj situate që shfaqet gjithnjë e më shumë me anomali e mungesa të shumta rregullimesh e përmirësimesh të rolit të faktorëve kulturore, edukativë, social, ligjorë e shtetërorë.
Sepse këto përmasa të epidemisë së ndotjes me një sasi kolosale mbeturinash të përhapura ngado, të dëmtimeve ekologjike e ambientale të shoqëruara me shpërthime natyrore shkatërrimtare (kujtoni përmbytjet e pak ditëve më parë), nuk rregullohet me simulakra televizive, slogane e parulla politike, këshilla psikologjike e morale. Të gjitha këto kanë vendin dhe vlerën e tyre, por ato nuk kanë efektin e duhur strategjik e afatgjatë, nëse nuk rindërtojmë një sistem adekuat të rregullimit të punëve ekologjike, ndryshimin e sistemit të rregullave e ligjeve që nevojiten me çdo kusht, për të frenuar dëmtimet kolaterale ekologjike nga mbeturinat toksike të patretshme (shishe plastike qese prej plastmasi) që po “mbulojnë vendin”. Ky nuk është problem sipërfaqësor. Jemi përballë një situate të dëmtimeve të renda, madje kërcënimeve serioze, ekzistenciale me natyrë ekologjike. Analizat dhe studimet e bëra, diagnostikimi i situatës dhe sigurimi i terapive për shërimin e kësaj sëmundjeje, ekologë, sociologë, ambientalistë e politikanë, kanë treguar se, “Rrugët për t’u përballur…nuk janë vetëm teknike, ato kërkojnë në mënyrë përparësore një reformë të mënyrës sonë të të menduarit për ta rrokur në kompleksitetin e vet…”. Edgar Morin, “Rruga”, f 99
Shikoni realitetin tonë social. Në përgjithësi politika, shteti, media, shoqëritë ambientaliste nuk kanë qenë vazhdimisht dhe pa ndërprerje në veprime konkrete e të qëndrueshme, shpesh kanë munguar politikat afatgjata dhe gjetja e rrugëve të sigurta për të përmirësuar situatën e agravuar të përballjes me “plehrat dhe mbetjet urbane” kaotike. Reagimet në shumicën e rasteve nuk janë lineare, por me “hope e kërcime” të lidhura si reagim më shumë “instiktiv” dhe e lidhur me raste dëmesh materiale e katastrofa natyrore, sikurse ishin përmbytjet e janarit të këtij viti. Situata pavarësisht përpjekjeve të shtetit, ushtrisë, pushteteve lokale dhe strukturat e emergjencës civile, nuk ishte e lehtë të vihej në kontroll me shpejtësi. Mund të gjenden shumë shkaqe e të sajohen shumë argumente, madje edhe të bëhen politizime të panevojshme e debate pa bukë. Problemi sipas mendimit tim, solli në evidencë dy arsye thelbësore: institucionale dhe të sjelljes sociale, edukatës dhe përgjegjësisë urbane.
Në këtë çështje akoma nuk kemi as një mendim politik me peshë strategjike, se çfarë duhet bërë dhe si duhen përballuar sfidat e së ardhmes. Padyshim problem nuk është i thjeshtë, as nuk zgjidhet mekanikisht me thirrje patetike higjienoekologjike. Në çdo kohë problemi i raportit të qytetarit me konsumin dhe sistemimin e mbetjeve në mënyrë të kulturuar, është një problem social krucial, shqetësues, me dimensioneve të mëdha. Sociologjikisht problemi nuk është i lidhur me sistemin politik apo modelin e qeverisjes. Edhe me këta faktorë, ky problem social ka lidhje, por në radhë të parë problemi është me dimensionin kulturor dhe ekologjik individual, komunitar, lokal dhe kombëtar. Sociologët kanë evidentuar të vërtetën e njohur se pavarësisht sistemit, “…konsumi është një aktivitet i vetmuar, endemikisht dhe pak thyeshmërisht i vetmuar”. Z. Bauman. “Moderniteti i lëngët”, f. 227
I tillë është edhe qëndrimi që njeriu mban kulturalisht me trajtimin e mbeturinave të konsumit. Situata e agravuar e grumbullimit, trajtimit dhe përpunimit të plehrave, e ka nxjerrë këtë problem në evidencë, si një nga shqetësimet socialekologjike me peshë shqetësuese për natyrën, njeriun dhe shoqërinë shqiptare. Problemi është i thellë konceptual dhe kulturor, politik dhe edukativ, shtetëror dhe administrativ. Gjithnjë është evidentuar prania e shenjave të sigurta që tregojnë se mungesa e kulturës së trajtimit të pakujdesshëm dhe pa përgjegjësi të mbetjeve, po afron një katastrofë ekologjike me efekte të paparashikueshme. Qëndrimet lineare, zgjidhjet e copëtuara, reagimet e pjesshme, mungesa e politikave dhe zgjidhjeve kompakte janë shoqëruar me pasoja evidente në kërcënimin e cilësisë së jetës së njerëzve tanë. Kjo është arsyeja që pas përmbytjeve dhe anomalive natyrore dhe ekologjike që sollën përmbytjet nga reshjet e shiut të muajit janar, duket se ka një rritje të shkallës së angazhimit, sensibilitetit urban dhe intervenimit të strukturave adekuate dhe institucioneve shtetërore. Problemi është integral politik dhe teknik, kulturor dhe qytetar, urban dhe individual. Është koha e rivlerësimit të problemit të trajtimit të disiplinuar e të kulturuar të mbetjeve urbane dhe e angazhimit seriozisht të strukturave përgjegjëse të parandalimit, edukimit dhe ndëshkimit të atyre njerëzve, që pa kulturë e përgjegjësi qytetare, apo nga ndikimi i indiferencës sociale dhe injorancës kulturore, po bëhen faktor që po ndikojnë në dëmtimin ekologjik dhe cenimin e garancive të jetës së sigurt e cilësore.
Në këto kushte, ndihet nevoja e një debati të gjerë publik me të gjithë qytetarët, institucionet e edukimit dhe medias, por edhe me strukturat shtetërore qendrore e lokale se çfarë duhet bërë për ta përballuar sfidën e kësaj emergjence ekologjike dhe si mund të zgjidhet, cilat janë rrugët dhe instrumentet e trajtimit sociologjik si problem kulturor, komunitar dhe shtetëror. Ndodhemi në një situatë kritike, në të cilën ka një korelacion të faktorëve të ndryshëm, por me efekte të njëjta, shumica janë me natyrë biologjike dhe lidhen me nevojat permanente të konsumit të dobishëm, të domosdoshëm të njeriut konsumator nga njëra anë dhe asaj që është me natyrë kulturore, shpirtërore dhe edukative. Ka kohë që shkencat ekologjike krahas faktorëve madhorë të shkatërrimit të biosferës, biodiversitetit, janë duke vlerësuar edhe ndikimin e ndotjes së ambientit, ujërave, shkatërrimin e tokave, dëmtimin e pyjeve, ujërave të lumenjve nga hedhja pa kriter dhe përgjegjshmëri sociale të plehrave.
Një fenomen që shfaqet globalisht, por në vlerësimin tim, kjo patologji në jetën e sotme të shoqërisë dhe natyrës së vendit tonë është tejet e agravuar. Madje pa e tepruar, mund të them se është e dalë jashtë kontrollit të faktorëve socialë, higjieno-sanitarë dhe institucioneve shtetërore. Që në kohën e vet, filozofi Rene Dekart kishte evidentuar tendencën e njeriut që kërkon të bëhet “sundues dhe zotërues dhe shkatërrues i natyrës”.
Tashmë ndodhemi përballë një kërcënimi ekzistencial, jo aq metaforik se sa real, evident, i prekshëm, me efekte kolaterale të jashtëzakonshme në degradimin ekologjik të natyrës sonë në nivel lokal e kombëtar. Në vërtetë po ndërtojmë një “shoqëri e konsumi”, por na duhet të rindërtojmë me urgjencë, sa nuk është vonë edhe “shoqërinë e përgjegjësisë ekologjike”. Ka një gjë që duhet të na detyron të skuqemi para vetes. Kjo sjelljeje antiurbane e kundër qytetëruese në raport me mbetjet, është një deformimi kulturor i traditës së higjienës së njeriut, familjes dhe shoqërisë, që historikisht nuk e kemi pasur edhe kur kemi qenë në kushte varfërie.
Paradoksalisht, sot kur kushtet mundësitë, alternativat higjienoekologjike janë më të mëdha, ne ndodhemi në këtë situatë të rënduar, thjesht dhe vetëm nga trajtimi antiqytetar i mbetjeve, që po shfaqet si një lloj “nekrofilie”, mënyrë absurde e bashkëjetesës pa shqetësim social, në heshtje me plehrat dhe mbeturinat urbane.
Ky fenomen i zgjeruar social, tashmë tejet alarmant për shoqërinë tonë, shfaqet jo si epidemi, por si “pandemi sociale” në sens të kundërt me atë që duhet të ndodhë. Kjo patologji urbane është e lidhur me qëndrimin jo human, sjelljen e papërgjegjshme të njeriut asocial, të papërgjegjshëm, individualist, që shfaqet si qenie banale e cinike, që mendon vetëm për vete, për konsumin personal për sot, por pa llogaritur dëmet ekonomike, pasojat kolaterale afatgjata për natyrën, jetën e përditshme dhe mjedisin social në Shqipëri. Një situatë e cila sociologjikisht vërteton se shumë nga njerëzit tanë, fare pak e mendojnë për jetën e sotme dhe akoma më pak ose aspak, për fatin e nesërm, jetën e brezave, fëmijëve, nipave dhe mbesave tona.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












