Plehrat, maxhoranca rrëzon dy herë Bamir Topin

Nov 4, 2011 | 11:06
Dje gjate debatit ne Parlament

Maxhoranca, me 73 vota kundër, rikthen në fuqi ligjin.

Maxhoranca ka rrëzuar me votat e saj dekretin e Presidentit Topi, që kërkonte riformulimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Maxhoranca votoi me 73 vota kundër dekretit të Presidentit, ndërsa opozita votoi me 59 vota pro këtij dekreti, përmes një votimit elektronik. Opozita mbështeti gjatë gjithë debatit që u zhvillua prej më shumë së 7 orësh, dekretin e Presidentit Topi, i cili kërkonte heqjen e nenit që lejonte importimin e mbetjeve të ngurta në Shqipëri. Opozita e akuzoi maxhorancën, përmes një numri shumë të madh diskutantësh, se përmes këtij ligji do ta kthejë vendin në një “kazan gjigand plehrash”, të shoqëruar këtë me interesa shumë të errëta ekonomike. Ndërsa nga ana e saj, maxhoranca, e cila kishte më pak deputetë që diskutuan rreth dekretit, në qendër të akuzave kishte rolin dhe pozicionin e Presidentit, por dhe qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar atë bllokuese të standardeve europiane.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, duke folur në emër të deputetëve, tha se importimi i plehrave ka si qëllim të vetëm pasurimin e zyrtarëve në pushtet. “Maja e plehrave që aktualisht janë në Shqipëri e kalon edhe majën më të lartë në vend, atë të Korabit. Berisha po sillet me këtë ligj si një biznesmen i babëzitur, dhe jo si një njeri që në profesion është mjek dhe i njeh shumë mirë pasojat që mund të krijojë për shëndetin nga ky import i plehrave. Nëse ky ligj shkon përpara, mbetjet e çdo cepi problematik të Europës do të na vijnë e do të na sëmurin me gjithfarë sëmundjesh këtu”, u shpreh Braçe. Deputeti socialist Blendi Klosi u bëri thirrje të gjithë deputetëve të mos e votojë këtë ligj që do të kthehet në gangrenë për Shqipërinë. Sipas tij, ligji duhet të kalojë në referendum, që të vendosin shqiptarët për të para se të votohet në Kuvend. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili e mbrojti fort rëndësinë e miratimit të këtij

Saimir Tahiri ne Parlament

ligji, deklaroi se mbetjet që do të importohen në Shqipëri nuk do të groposen, por do të trajtohen në mënyrë të integruar. Ai shtoi se mbetjet që do të vijnë në vend nuk janë të rrezikshme. Ndërsa ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, gjatë fjalës së tij akuzoi opozitën se po ndjek rrugën bllokuese të kryetarit Rama, ndërkohë që ligji i tyre për mbetjet ka qenë shumë herë më i rrezikshëm. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, akuzoi qeverinë se nuk jep asnjë garanci për kontrollin e mbetjeve që pritet të importohen, ndërsa përmendi disa nga artikujt që janë të dëmshme për shëndetin. “Kjo qeveri nuk ofron asnjë garanci për mbetjet që do të vijnë në Shqipëri. Sot e kësaj dite kalojnë mbetje në Shqipëri, drogë e çfarëdolloj gjëje. Anija ‘Korabi’ me mbetje toksike ka ardhur në Shqipëri. Zoti ministër, e hapni ju shtëpinë për të marrë plehrat e komshiut? Pse u thoni shqiptarëve hapni dyert të marrim plehrat e Europës?”, u shpreh Tahiri.

Mbledhja: Grupi i PS, debat para seancës
Deputetët socialistë janë mbledhur dje para nisjes së seancës plenare për të diskutuar rreth qëndrimit që ata do të mbanin për votimet. Debati më i madh ka qenë rreth qëndrimit për dekretin e Presidentit për kreun e KLSH-së, Sali Shehu. Edhe pse kishte mendime që dekreti i Topit duhet votuar pro, në përfundim u vendos që deputetët e PS të abstenonin për të, ashtu dhe siç ndodhi në votim. Ndërsa Grupi vendosi të votojë pro dekretit të Topit për rishqyrtim të ligjit për mbetjet. Grupi i deputetëve mbështeti kandidaturën e Ermelinda Meksit për anëtare të Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Incidenti: Mediu humb qetësinë me Topallin
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij ndaj ndërprerjes së fjalës që i bëri kryetarja e Kuvendit dje gjatë seancës. Si ministër i linjës, i cili lidhet direkt me çështjet e mbetjeve dhe mjedisit, Mediut iu pre fjala sapo koha e kronometruar mbaroi. Edhe pse Mediu i kërkoi Topallit që t’i jepte dhe pak kohë, ajo e ka kundërshtuar duke i treguar që koha kishte mbaruar. Por, ministri, edhe kur ka shkuar në vendin e tij, ka vazhduar së kërkuari arsye Topallit pse nuk i shtyu kohën. Ka qenë dhe kreu i Grupit demokrat, Patozi, i cili i ka kërkuar Mediut të mos shprehë pakënaqësi për këtë fakt. Por Topalli, pas folësit të radhës pas Mediut, ia dha sërish fjalën ministrit të Mjedisit, duke i kërkuar ndjesë e sqaruar se ishte një problem i teknikës. Duket se kjo sjellje e ka qetësuar ministrin, i cili, nga ana e tij, ka lobuar me të gjithë deputetët për miratimin e ligjit.

Karta e Bushatit
Mungesa e deputetit socialist, Ditmir Bushati, i ka rënë në sy kryetares së Kuvendit vetëm pasi kishte nisur votimi. Pasi ishte votuar prezenca, Topalli u ka kërkuar deputetëve socialistë të heqin nga kutia elektronike kartën e deputetit Bushati, ndërsa deputetët socialistë i kanë thënë se karta e tij nuk është fare. Atëherë Topalli i kërkoi sekretarisë së Kuvendit të gjejë se ku ka shkuar karta e Ditmir Bushatit, moment që ka krijuar ilaritet në sallë. Ishte momenti që maxhoranca po kalkulonte votat e saj në Kuvend. Bushati ndodhej jashtë shtetit me shërbim.

Debati për ligjin e plehrave
Blendi Klosi:
Ky ligj ka ngjallur interesin e opinionit publik kudo që jetojnë shqiptarët. Ky ligj është qoka e radhës që Kryeministri i bën ndonjë klani klientelist. Ky ligj tregon se Shqipëria do të bëhet vend grumbullimi për plehra. Kërkohet që Shqipëria të bëhet depo plehrash. Është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e mbeturinave. Plehrat janë kthyer në një gangrenë për Shqipërinë. Ky ligj duhet të jetë si asnjë tjetër, duhet të kërkojë referendum. Pse keni frikë nga opinioni shqiptar?
Fatmir Mediu: Mbetjet që do të importohen në Shqipëri nuk do groposen, por do trajtohen në mënyrë të integruar. Ka vende, si Gjermania e Holanda, që importojnë sot mbetje. Ju nuk ju lë mentaliteti për groposjen e mbetjeve, por ato nuk do groposen. Mbetjet do trajtohen dhe ju siguroj që ne e dimë që mostrajtimi i mbetjeve krijon pasoja të jashtëzakonshme. Juve ju duket çudi nëse ju them që nga mbetjet prodhohet edhe energji. Ju siguroj që nuk do trajtojmë plehrat jashtë listës së gjelbër, bëhet fjalë për mbetje të parrezikshme.
Eduard Shalsi: Ju, zoti ministër i Mjedisit dhe Ujërave, nuk menaxhoni dot lumin Shkumbin. Ai po degradon. Për çfarë ligji flisni? Ju po stimuloni shkatërrimin e lumit Shkumbin në mes të ditës. Ju sot duhet të heshtnit. Nuk mund të mbrosh diçka që s’ka zot që e mbron.
Ramiz Çoba: Presidenti foli dhe veproi jo si president, por si kryetar partie. E kam mbështetur zotin Topi katër vjet më parë kur u zgjodh në krye të shtetit, por u ndava prej tij kur hoqi mantelin e Presidentit dhe veshi kostumin e kryetarit të partisë.
Sajmir Tahiri: Polimeret e oksigjenit, poklimere butadiene, këto janë kancerogjene, kobalti është helm, shkakton infeksion në mushkëri, hire kaldajash, helm, sulfur i ngurtë, helm, shkatërron mëlçinë. Kjo qeveri nuk ofron asnjë garanci për mbetjet që do vijnë në Shqipëri. Sot e kësaj dite kalojnë mbetje në Shqipëri, drogë e çfarëdolloj gjëje. Anija “Korabi”, me mbetje toksike ka ardhur në Shqipëri. Zoti ministër, e hapni ju shtëpinë për të marrë plehrat e komshiut? Pse u thoni shqiptarëve hapni dyert të marrim plehrat e Europës? Ju doni të fitoni nga importi i plehrave. Shkoni pyetini shqiptarët.
Genc Ruli: Minoranca do të bëhet maxhorancë. Ligji plotëson standardet. Në asnjë pikë ju nuk u sollët prova konkrete, ndonjë merak konkret të kontestimit për të sjellë plehra. Ligji juaj për mbetjet ka qenë shumë më i rrezikshëm, qoftë për mënyrën, qoftë për autoritetin e licencës. Ju keni gjetur armën e Ramës për të bllokuar integrimin.
Arben Malaj: Ky debat sot për të rrëzuar dekretin e Presidentit, për të shpërfillur shqetësimin e opinionit publik, ku në qendër të kësaj kërkese janë edhe dy ish-presidentët e vendit, për të mos dëgjuar shoqërinë civile, për të injoruar shqetësimet e opozitës për një debat që është i nxehtë në çdo vend europian, vetëm e rëndon krizën aktuale politike. Ne nuk jemi jashtë Europës se po pengojmë të huajt të eksportojnë mbetje në Shqipëri, por sepse po pengojmë eksportimin e vlerave më të mira europiane në politikën shqiptare.
Erion Braçe: Problemi aktual i plehrave shkaktohet për tri arsye. E para lidhet me mosdiferencimin e plehrave, të cilat trajtohen të gjitha së bashku. E dyta, me depozitimin masiv në fusha pranë periferisë së qyteteve kryesore dhe lumenjve. Dhe e treta, nga djegia e tyre në fusha të stërmbushura me mbeturina. Me ligjin e ri do të infektohet edhe ajo pjesë e mjedisit që tani ka shpëtuar, nëntoka, burimet nëntokësore dhe gjithçka tjetër. Problemi kryesor, ai i ndarjes së plehrave, me këtë ligj shtyhet edhe për të paktën shtatë vjet të tjerë, për të paktën edhe shtatë vjet pirgjet do të shtohen njëri pas tjetri me mbeturina kancerogjene dhe shkaktare të gjithfarë sëmundjesh. Përse keni frikë nga referendumi, zoti Kryeministër? Këtë vendim duhet ta marrin shqiptarët, dhe jo klanet e tua mafioze.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura