Ka vendosur të vërë në jetë një nga premtimet më ambicioze që bëri gjatë fushatës kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.Hartimi i planit të ri urbanistik për kryeqytetin do të bëhet këto ditë pjesë e konsultimeve të kryebashkiakut me akademikë dhe ekspertë të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanizimit. Bashkia e Tiranës njoftoi dje se është vendosur 8 shtatori si data në të cilën do të zhvillohet takimi. Për vetë rëndësinë që ka hartimi i planit të ri urbanistik për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës cilëson se gjatë procesit të hartimit të planit urbanistik do të kihen parasysh një sërë parimesh. E para lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, që do t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe mjedisor të tij, duke nxitur dhe hapjen e vendeve të reja të punës në qytet. Së dyti, është gërshetimi i interesave publike dhe atyre private, duke pasur në thelb mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra. Së treti, plani i ri urbanistik nuk shihet veçmas asaj që rrethon Tiranën, por e integruar me këtë pjesë. Në këtë prizëm, rëndësi do t’i kushtohet harmonizimit me komunat dhe bashkitë përreth dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës. Një tjetër pikë është edhe ajo që lidhet me një nga problematikat më të mëdha që është shfaqur në kryeqytet, siç është trafiku. “Plani i ri urbanistik do të synojë përmirësimin e transportit publik, lehtësimin e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane”, thuhet në njoftimin e Bashkisë. Plani i ri urbanistik do të synojë zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private në mënyrë që të evitojë spekulimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit. Ajo që do të shoqërojë procesin e hartimit të këtij plani të ri urbanistik duket se do të jetë konsultimi i gjerë me të gjitha grupet e interesit, por edhe me ekspertët dhe akademikët më të njohur. “Në procesin e hartimit të planit të ri urbanistik për Tiranën do të përfshihen shumë ekspertë dhe personalitete të njohura, sidomos ato të universiteteve dhe botës akademike, të njohur për paanshmërinë e tyre dhe mospërfshirjen në interesa klienteliste. Procesi i hartimit të planit do të jetë transparent dhe do të mundësojë përfshirjen dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Këshilltarët e PS: Të ndalen largimet e punonjësve
Grupi i këshilltarëve të koalicionit “Aleanca për të ardhmen” në bashkinë e Tiranës denoncon përmes një deklarate largimet e padrejta sipas tyre të punonjësve të kësaj bashkie. “Grupi i këshilltarëve të Koalicionit ‘Aleanca për të Ardhmen’ në Këshillin Bashkiak të Tiranës po ndjek me vëmendje dhe shqetësim të thellë veprimtarinë e kundërligjshme, tërësisht politike dhe ekstremiste të largimit masiv të punonjësve nga Bashkia e Tiranës. Ne e konsiderojmë këtë veprim si vazhdim i grabitjes së mandatit të kryeqytetit. Ne bëjmë thirrje të ndalet menjëherë, presioni, përndjekjet politike dhe klienteliste në bashki dhe të lihen punonjësit të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë në përputhje me ligjin në interes të zërit të qytetarëve dhe jo zërit të kryeministrit dhe kryetarit të emëruar të bashkisë”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve socialistë. Ata shprehin solidaritet dhe mbështetje pwr hapat ligjorw qw punonjësit e larguar po ndjekin.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











