TIRANË- Përmbyllje të një premtimi të mbajtur e ka quajtur kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mbylljen në kohë rekord të Planit Urbanistik të kryeqytetit.
Në prezantimin e draft planit, Basha ka përgëzuar kontribuuesit që në një kohë prej 10 muajsh mbyllën atë që Tiranës i mungonte prej kohësh.
“Ky plan është domosdoshmëri për zhvillimin e gjithanshëm të qytetit, që ka vuajtur frenim të vrullit ekonomik që ka përshkruar vendin. Ka dhënë shenja të lodhjes në një bllokim prej disa vitesh si rezultat i një konfrontimi me biznesin dhe qytetarët”- tha Basha.
Sipas tij, plani nuk shihet si dokument formal, por model pune e bashkëpunimi, që sendërton problematikat dhe jep skenat e zhvillimit.
“Plani synon që të adresojë qytetarët përkundrejt kaosit që lamë pas. Të zgjidhë problemin e interesit privat dhe publik. Qytetarët ankohen për cdo metër që zihet nga betoni, për shkollat dhe shumë probleme. Kjo ka ndodhur se nuk ka pasur plan që të vëjë në vijë të drejtë, nevojën për ndërtim dhe hapësirë të gjelbërt”,theksoi kryebashkiaku.
Sipas tij, Tirana ka nevoje per investime reale qe do t’i hapin rrugë investitorëve të huaj dhe vendas e do te krijojne mundësi të reja punësimi për të gjithë.
© Panorama.al











