Plani i Trump për Ukrainën, Macron, Merz dhe Starmer takohen para samitit të G20-ës në Johanesburg: Duhet garanci, s’ka zgjidhje pa Kievin!

Nov 22, 2025 | 14:15

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer, u takuan sot për të diskutuar planin amerikan për Ukrainën, në kuadër të Samitit të G20 në Johannesburg të Afrikës së Jugut, njoftoi ‘Pallati Elysee’ në Paris.

macron, starmer merz

Tre udhëheqësit, të cilët kishin zhvilluar bisedime në Berlin të martën, u takuan edhe rreth orës 13:15, përpara një takimi të zgjeruar me krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive evropiane që ndodhen në Johannesburg.

Përveç kësaj, siç i thanë burime me njohuri për çështjen ‘Reuters’, vendet e E3, udhëheqëset e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, Japonia dhe Kanadaja, do të diskutojnë planin e paqes të propozuar nga Uashingtoni për Ukrainën këtë pasdite në kuadër të Samitit të G20.

E3 është një aleancë informale sigurie e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë.

Më parë, kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti francez Emmanuel Macron diskutuan për Ukrainën në kuadër të samitit të G20 në Afrikën e Jugut, tha qeveria kanadeze të martën.

Të dy udhëheqësit riafirmuan mbështetjen e tyre dhe theksuan se “çdo zgjidhje për luftën në Ukrainë duhet të përfshijë Kievin, të respektojë interesat thelbësore të Ukrainës dhe të ofrojë garanci sigurie”, tha qeveria kanadeze në një deklaratë.

Carney u zotua të punojë me aleatët për të arritur një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura