Plagosje para mitingut të PS

Apr 18, 2011 | 12:43

Një polic i Bashkisë së Kamzës u plagos dje, në një incident pranë vend-tribunës së mitingut të Partisë Socialiste.Disa makina të militantëve demokratë u dëmtuan në të njëjtën ngjarje, teksa shtabi elektoral i Partisë Socialiste përgatiste skenën për mitingun e zhvilluar dje pasdite në Kamzë. Policia e Tiranës tha dje se si pasojë e përplasjeve fizike, është plagosur efektivi i Policisë Bashkiake, Rasim Hoxha, 43 vjeç. Ai është plagosur në momentin kur ka qenë duke vendosur pankartat e PD pranë vendit ku ishte planifikuar të mbahej aktiviteti i Partisë Socialiste. Pas plagosjes, polici i bashkisë Kamzë është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Ngjarja ndodhi dhe rreth orës 13:30, në rrugën “Manhatan”, në Kamzë, pranë vendit ku po ngrihej tribuna për zhvillimin e takimit elektoral të Partisë Socialiste. Sipas policisë, përballja e simpatizantëve të dy subjekteve politike, PS e PD, ka shkaktuar debate dhe një konflikt të ashpër mes tyre. Pas plagosjes me gurë e shkopinj të policit bashkiak, militantët e PS kanë vijuar dhunën, duke shkatërruar makinat me postera e logo të PD. “Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin ku ka ndodhur incidenti, shërbimet e Komisariatit nr.5 kanë bërë të mundur të identifikojnë, si autor të mundshëm të plagosjes së policit Rasim Hoxha, shtetasin Petrit Ahmet Hoxha, 36 vjeç, i cili është shoqëruar për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen”, deklaroi dje Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas saj, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë, simpatizantë të Partisë Socialistë, të cilët dyshohet se kanë grisur gjatë natës posterat elektoralë të PD, dhe po dje gjatë incidentit kanë shkatërruar disa makina, në pronësi të militantëve demokrat.
PROVOKIMET
Për incidentin e djeshëm në qendër të Kamzës, përfaqësuesit e të dy subjekteve politike, PD dhe PS, lëshuan akuza të ndërsjella për provokim. Përfaqësuesit e PD-së së Kamzës pretendojnë se polici bashkiak i plagosur, në momentin kur u sulmua nga militantët socialistë, po zëvendësonte pankartat elektorale të PD-së, që ishin grisur dhe dëmtuar gjatë natës nga militantët socialistë. Ndërsa, nga ana tjetër mbështetësit e PS pretendojnë se konfrontimet erdhën si pasojë e provokimeve nga ana e militantëve demokratë. Sul Cara, shef i shtabit të PS në Kamzë, shprehet se do të denoncojë ngjarjen në Komisariatin Nr.5 në Kamzë.
I PLAGOSURI
Punonjësi i Policisë Bashkiake të Kamzës, Rasim Hoxha, i cili u plagos mesditën e djeshme nga militantët socialistë, u transportua menjëherë drejt urgjencës së Spitalit Ushtarak. Burime nga policia thanë se Hoxha është goditur në pjesë të ndryshme të trupit me gurë dhe shkopinj, por goditjet më të mëdha i ka pësuar në kokë. Mjekët e Spitalit Ushtarak thanë dje se gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet shqetësuese apo me rrezik për jetën. Atij i është kryer një skaner në kokë dhe në gjymtyrët e dëmtuara, por janë konstatuar vetëm disa hematoma dhe jo dëmtime serioze. Mjekët rekomanduan se Rasim Hoxha duhej të qëndronte nën kujdesin mjekësor për të paktën 24 orë, derisa gjendja e tij të përmirësohej. Hoxha, pasi mori mjekimin e parë në urgjencën e spitalit, u mor në pyetje nga oficerët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, të cilëve u shpjegoi rrethanat se si ndodhi ngjarja. Ndërsa policia tha se mbrëmë deri në orët e vona, për Petrit Hoxhën, personin e shoqëruar si të dyshuar për plagosjen e policit bashkiak, ende nuk është marrë masa e arrestit.

Plagosja në mitingun e Ramës në Njësinë 5, Gjykata: Burg autorit

TIRANE – Gjykata e Faktit në kryeqytet vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” ndaj shtetasit Arbër Ristani, i akuzuar për plagosjen e një militanti të Partisë Socialiste pak ditë më parë në Tiranë. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata caktoi masën e mbajtjes në paraburgim për 21-vjeçarin Arbër Ristani deri në fund të hetimeve të filluara ndaj tij, me akuzën e plagosjes me dashje. Në Gjykatën e Tiranës, ditën e djeshme, avokati i të pandehurit kërkoi një masë më të lehtë sigurie, por togat e zeza miratuan kërkesën e prokurorisë. Organi i akuzës, tha se më 13 prill, shtetasi Arbër Risani ka plagosur me thikë 16-vjeçarin Ali Doçi. Ngjarja, sipas prokurorisë ka ndodhur në Njësinë Bashkiake Nr.5 në Tiranë, pranë zyrave elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim në rrugën “Margarita Tutulani”. Atë ditë, kryetari i PS, Edi Rama, kishte planifikuar një miting me banorët e kësaj zone dhe në momentin kur ai së bashku me të grumbulluarit po kalonin para zyrave të LSI, ndodhi edhe incidenti. Arbër Ristani deklaroi dje në gjykatë se ishte provokuar nga njerëzit që shoqëronin Edi Ramën. Ndërkohë, policia ka pohuar se “Arbër Ristani dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, pas një grindjeje të çastit të ndodhur dy ditë më parë, në afërsi të qendrës “Kristal” në Tiranë, kanë plagosur me thikë 16-vjeçarin, Ali Shkëlqim Doçi.  Pas ngjarjes, Arbër Ristani u arrestua në flagrancë”.

PD e Kamzës: Provokim nga kandidati i PS

Pas incidentit të mesditës dje në Kamzë, ku mbeti i plagosur polici bashkiak, ka reaguar shtabi elektoral i Partisë Demokratike në këtë zonë. PD ka akuzuar për këtë ngjarje kandidatin socialist për Bashkinë e Kamzës, Rakip Sulin. “Një akt i rëndë kriminal i provokuar dhe drejtuar nga kandidati socialist për kryetar të Bashkisë Kamzë, ndodhi në mesditë në qendër të këtij qyteti. Eksponentë të botës së krimit goditën rëndë punonjësin e Policisë Bashkiake, Rasim Hoxha, me mjete të forta duke i shkaktuar plagë të rënda. Në këtë sulm banditesk është implikuar drejtpërdrejt vetë kandidati socialist Rakip Suli, ndërkohë që në këtë akt të shëmtuar janë identifikuar edhe njerëz që kanë lidhje të drejtpërdrejta me të”, thuhet në deklaratën për shtyp të shtabit elektoral të PD-së, Kamzë. Sipas degës së Partisë Demokratike të Kamzës, ngjarje të tilla të dhunshme janë pjesë e strategjisë që ndjek Partia Socialiste me strukturat e saj të kriminalizuara.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura