
SHKODER- Vetëm dy orë i janë dashur Policisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së trefishtë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës. 35-vjeçari Edison Marku u arrestua pasi qëlloi me automatik në drejtim të një lokali në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës, nga ku mbetën të plagosur tre shtetas. Ata ndodheshin rastësisht në lokal, duke ndjekur një ndeshje futbolli. Të plagosurit kanë pohuar për grupin e hetimit se ata nuk kishin pasur asnjë problem me autorin e ngjarjes, por se ky i fundit pak orë më parë kishte pasur një konflikt me disa persona të tjerë, të cilët ndodheshin si klientë në lokal. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 të së mërkurës, kur pranë një lokali lotosh është ndalur një autoveturë, nga ku më pas është qëlluar me breshëri. Fillimisht janë marrë në pyetje kalimtarë të rastit, të cilët ndihmuan policinë në identifikimin e mjetit, drejtuesi i së cilës qëlloi me breshëri. Pas hetimit të kryer dhe dëshmive të personave të tjerë të ndodhur në vendin e ngjarjes, u dyshua se autori është 35-vjeçari Edison Marku, i cili vetëm pak orë para krimit kishte pasur një zënkë me disa persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin lokal. Marku pas zënkës ka shkuar në banesën e tij që ndodhej në të njëjtën lagje me lokalin, dhe pasi ka marrë një automatik, ka qëlluar në shenjë kërcënimi, duke menduar se personat me të cilët ishte grindur ndodheshin sërish aty. Për pasojë, mbetën të plagosur shtetasit Fran Ndrecaj, 20 vjeç, nga fshati Bardhaj, Nikolin Lekaj, 18 vjeç, nga Shkodra dhe Mark Kroni, 21 vjeç, nga fshati Shtoj i Ri. r.d











