Plagoset punëtorja e demontimit

Apr 28, 2011 | 10:23

Shënohet incident i rëndë në repartin e demontimit të pre-dhave në Poliçan.Një 32-vjeçare është kthyer për pak në viktimë e aksidentit në punë, pasi makineria në të cilën po punonte, e ka rrëmbyer krejt papritur, duke i dëmtuar rëndë krahun.
Mësohet se M.Behari, nënë e një fëmije, pësoi plagë të rënda në krah gjatë procesit të punës. Ashtu sikurse ditët e tjera, edhe dje ajo kishte shkuar si zakonisht në repartin e demontimit. Por gjatë procesit të punës, makineria i ka marrë të gjithë krahun, duke i rrezikuar seriozisht edhe jetën. Burimet nga kombinati bënë të ditur se në momentin që 32-vjeçarja ka kërkuar ndihmë, punëtorët e tjerë kanë fikur makineritë, duke i shpëtuar kështu edhe jetën. E plagosura është dërguar menjëherë në Spitalin e Poliçanit, por pasi ka marrë mjekimin e parë, e kanë nisur në Berat për një trajtim më të specializuar. Burime nga Bashkia bënë të ditur se kanë të dhëna se kohët e fundit janë marrë punonjës të paspecializuar dhe janë futur për të punuar në repartin e demontimit të predhave, të cilat kanë një proces shumë të vështirë. Sipas rregullave, punëtorët që punojnë në këtë repart, duhen të kryejnë një kurs ose të jenë të specializuar më parë, pasi demontimi i predhave në makineritë përkatëse është mjaft i vështirë të kryhet. “Procesi në repartin e demontimit duhet të ketë një sigurim teknik të lartë dhe ambiente të siguruara mirë. Madje, një pjesë e këtyre makinerive dhe pajisjeve nuk janë precize e për pasojë ato krijojnë edhe aksidente teknike të cilat ndikojnë shumë në jetën e punëtorëve dhe specialistëve të këtij reparti”, u shprehën burime të Bashkisë për ngjarjen e ndodhur. Kombinati i Poliçanit, që pas ngjarjes së Gërdecit, ka pësuar një zgjerim të madh për demontimin e predhave luftarake të kalibrave të ndryshëm, në shkallë vendi.
Sipas mjekut specialist kirurg, Eduart Bejko, 32-vjeçarja Behari ka pësuar dëmtime serioze. Por, për fat të mirë krahu i ka shpëtuar, pasi punëtorët e tjerë kanë arritur të ndërhyjnë në kohë dhe të fikin makinerinë e cila kishte rrëmbyer krahun e punëtores. Pas mjekimit kirurgjikal, 32-vjeçarja është jashtë çdo rreziku për jetën dhe po merr mjekim intensiv në pavijonin e kirurgjisë. Mjeku Bejko u shpreh se ajo ka pësuar thyerje të kockës nga rrëmbimi i makinerisë në momentin e demontimit të predhave. Familjarët e saj u shprehën se ajo kishte një vit punë në këtë repart. Burimet nga kombinati bënë të ditur se reparti i demontimit në Kombinatin Ushtarak të Poliçanit është zgjeruar dhe aktualisht në të punojnë rreth 250 punëtorë. Ata kryejnë demontimin e kalibrave të ndryshëm të predhave. Rreth tre vjet me parë, nga shpërthimi i një predhe që kishte mbetur në një arkë, gjeti vdekjen një grua, nënë e dy fëmijëve. Shpërthimi i predhës ndodhi në momentin që viktima kishte ndezur një arkë kartoni për t’u ngrohur në ambientet e repartit, por ajo nuk kishte vënë re se brenda kutisë kishte qenë një predhë e pademontuar.

Reagon deputeti Ylli

Ngjarja e djeshme solli edhe reagimin e deputetit të këtij qarku, Fidel Ylli. Ai u shpreh se këta punëtorë janë marrë 20 ditë më parë në punë dhe janë militantë partie. “Ata janë punësuar për të votuar forcën politike të djathtë. Për një votë të humbasin jetën e hallexhinjve që vuajnë për bukën e gojës në këtë qytet? Ne e kemi ngritur disa herë këtë problem. 20 ditë më parë kjo drejtori ka punësuar rreth 50 veta në këmbim të votës”, u shpreh deputeti Ylli.

 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura