Plagosen për një vajzë 6 persona

Oct 8, 2011 | 12:41
K. Frroku, 17-vjeçari i plagosur nga përleshja masive

Përleshja masive dhe përdorimi i armëve të ftohta për një femër përfundoi me plagosjen e pesë personave dhe një efektivi të Policisë së Lezhës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:30, në lagjen “Besëlidhja”, në një lokal afër shkollës së mesme “Hydajete Lezha”. Në përleshje me mjete të forta e thika janë përfshirë rreth 10 persona, por fatmirësisht ndërhyrja e policisë shmangu një tragjedi të mundshme. Tentativa për të ndarë grupin e të rinjve i shkaktoi plagë edhe një efektivi, Ndue Malçit, 47 vjeç. Burime të Policisë bënë të ditur se në lokalin ku ndodhi ngjarja kanë qenë së bashku shtetasit Taulant Uka, 23 vjeç, vëllai i tij Mirjan Uka, 25 vjeç, si dhe dy vëllezërit, Sokol Ndoci dhe K. Ndoci,

Efektivi i plagosur dje në spitalin e Lezhës

përkatësisht 24 dhe 17 vjeç. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se ata kanë qenë duke pirë kur janë sulmuar nga gjashtë të rinj, mes të cilëve K. Frroku, 17 vjeç dhe Gentian Boga, 19 vjeç. Përleshja ka qenë e ashpër, ku janë përdorur mjete rrethanore, si karrige e tavolina, por edhe thika. Për pasojë, kanë mbetur të plagosur katër personat e sulmuar, por edhe njëri prej protagonistëve, K. Frroku, banues në Ishull Shëngjin. Ky i fundit ishte përjashtuar nga gjimnazi një vit më parë, pasi ishte problematik në shkollë. Ai aktualisht ndjek shkollën me korrespondencë. Ndërsa bashkëmoshatari i tij, K. Ndoci, është gjimnazist në shkollën “Hydajete Lezha”, afër së cilës ndodhi ngjarja. Fatmirësisht, një furgon policie është ndodhur afër vendit të përleshjes dhe mbërriti në lokal duke ndërhyrë për të ndarë të rinjtë. Por, numri i pakët i efektivave nuk i ka trembur sulmuesit, madje ata kanë kundërshtuar policinë duke i qëlluar ata me karrige, derisa 47-vjeçari Malçi mbeti i plagosur. Pas sinjalizimit, në vend mbërritën përforcime nga Policia e Lezhës. Ata kapën vetëm 17-vjeçarin e plagosur, që u dërgua më pas për ndihmë mjekësore për shkak të plagëve me thikë. Ndërsa autorët e tjerë arritën të largoheshin dhe janë shpallur në kërkim. Bilanci i kësaj përleshjeje shënoi gjashtë të plagosur. Sipas regjistrit të spitalit, ata janë: Taulant Uka, 23 vjeç, Mirjan Uka, 25 vjeç, Sokol Ndoci, 24 vjeç, K. Ndoj, 17 vjeç, K. Frroku, 17 vjeç dhe Ndue Malçi 47 vjeç. Kur mendohej se konflikti ishte shuar, blutë hasën me një tjetër ngjarje në spital. Miqtë e të plagosurve mbërritën në spital dhe tentuar të hakmerren me të vetmin pjesëtar të grupit sulmues, 17-vjeçarin Frroku, i cili po merrte ndihmë mjekësore. Por, ndërhyrja e policisë evitoi një ngjarje të dytë. Ata e larguan 17-vjeçarin duke e izoluar në një nga dhomat e spitalit, ndërsa shoqëruan autorët. Në spital ndodhen katër të plagosur, por, sipas mjekëve, gjendja e tyre është jashtë rrezikut. K. Frroku është shoqëruar në polici për t’i marrë edhe dëshminë. Pas ndihmës së dhënë, doli nga spitali edhe efektivi i policisë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se njëri nga vëllezërit Uka kishte krijuar lidhje me një vajzë, të cilën e donte edhe një nga protagonistët e ngjarjes, 19-vjeçari i shpallur në kërkim. Blutë nuk dhanë detaje në lidhje me konfliktin e akumuluar prej gati një viti ndërmjet të rinjve për shkak edhe të problematikës delikate në mes të së cilës është një gjimnaziste e këtij qyteti. Ngjarja e djeshme shkaktoi panik edhe te nxënësit e gjimnazit, pasi sherri ndodhi vetëm pak metra larg shkollës dhe ata u bënë dëshmitarë të përleshjes masive.

Të plagosur
Taulant Uka,
23 vjeç
Mirjan Uka,
25 vjeç
Sokol Ndoci,
24 vjeç
K. Ndoj,
17 vjeç
K. Frroku,
17 vjeç
Ndue Malçi,
47 vjeç

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura