Vendimi u shpall vetëm pak orë pasi palët dhanë argumentet e tyre në seancën gjyqësore në Kushtetuese. “Lidhur me pikën 1 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për t’u shprehur më vonë me një vendim përfundimtar të arsyetuar. Lidhur me pikën 2 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit, pasi nuk plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 ’Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’”, shprehet Gjykata në vendimin e bërë publik në faqen e saj në internet. Vendimi përfundimtar për këtë çështje nuk një afat kohor të përcaktuar për t’u dhënë.
Seanca
Një grup prej 33 deputetësh të Partisë Socialiste i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku kërkojnë shfuqizim të këtij ligji, pasi sipas tyre ai është antikushtetues. Deputetët përfaqësoheshin në Gjykatë nga avokati Genc Çifligu dhe anëtari i Asamblesë kombëtare, Artan Lame, në rolin e studiuesit dhe njohësit të mirë të çështjeve të trashëgimisë kulturore. Avokati i socialistëve argumentoi se ligji shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke krijuar konflikt mes pushtetit legjislativ dhe atij vendor. Sipas tij, planifikimi urban, menaxhimi i tokës dhe miratimi i shesheve dhe lejeve të ndërtimit janë kompetenca të KRRT së Bashkisë së Tiranës dhe jo të ekzekutivit apo Parlamentit.
Gjithashtu, ai tha se ligji i miratuar nga shumica parlamentare nuk shoqërohet me faturë financiare, edhe pse dëmi që ai shkakton ka vlera të mëdha monetare. Nga ana e tij Artan Lame e sulmoi ligjin e Kuvendit me faktin se Piramida, si pjesë e ansamblit të monumenteve të kulturës të qendrës së Tiranës, nuk mund të prishet. Statusi i këtij objekti sipas Lames nuk mund të ndryshohet nga asnjë ministër, vetëm në rastet kur objekti mund të shkatërrohet nga tërmeti ose zjarri. Përfaqësuesit e maxhorancës, juristi i Kuvendit, Lulzim Lelçaj dhe drejtoresha e kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari kërkuan rrëzimin e kërkesave të deputetëve, pasi sipas tyre ligji nuk ka marrë asnjë kompetencë nga sa pretendojnë socialistët, por vetëm rregullim të tyre. Lelçaj kërkoi që kërkesa e deputetëve të mos merret parasysh, për shkak se ata nuk kanë treguar interes publik ndaj këtij ligji, pasi nuk kanë qenë në Kuvend as kur është diskutuar dhe as kur është votuar, duke e injoruar totalisht atë. Xhaferrllari nga ana e saj tha se ligji nuk mund të shoqërohet me faturë financiare, sepse ai vetëm sa vendos rregulla, ka karakter të pastër procedural dhe nuk është një ligj që përcakton punimet konkrete të ndërtimit të Kompleksit të ri Parlamentar. Seanca e djeshme do të mbahet mend si seanca me më pak pyetje të gjyqtarëve ndaj palëve, por dhe të palëve të interesuara ndaj njëra-tjetrës.
Debati dje ne Kushtetuese
Vladimir Kristo: Një grup deputetësh ka të drejtë të ankimojë çdo ligj, kur nuk është dakord, ndërsa ju thoni se grupi i deputetëve socialistë nuk ka marrë pjesë në shqyrtimin e ligjit.
Lulzim Lelçaj: Nuk kanë qenë prezent jo vetëm në votim, por dhe në shqyrtimin e ligjit, duke mos treguar interes për të. Sipas nesh, pala nuk legjitimohet në këtë rast për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese.
Vladimir Kristo: Ju mendoni se nuk është rasti që ligji të shoqërohet me faturën financiare të tij.
Marsida Xhaferrllari: Ky ligj ka karakter të pastër procedural; nuk është ky ligj që tregon ngritjen e kantierit të ndërtimit, apo do të hapë themelet, apo mbi bazën e tij do të paguhet projekti etj.
Vladimir Kristo: Do të thotë se mund të ketë ligj tjetër në një fazë tjetër?
Marsida Xhaferrllari: Do të thotë se kostot financiare të ndërtimit të kompleksit do të përballohen nga legjislacioni në fuqi që do të ketë dhe akte nënligjore që do ta bëjnë këtë ligj të zbatueshëm.
Artan Lame: Kur kanë marrë vendimin nr. 66, i kanë kërkuar ministrit të Kulturës të shprehet për statusin e objektit, pasi objekti ishte shpallur në 2007 monument Kulture?
Lulzim Lelçaj: Sot objekt i gjykimit nuk është vendimi 66, sepse është votuar. Ministri i Kulturës është pjesë e votimit. Karakteri i vendimit 66 ka qenë shprehje e vullnetit të Parlamentit për të ndërtuar, dhe hapat që do ndërmerreshin, do të ishin pasues.
Artan Lame: Vetë ministri i Kulturës që merr pjesë në Kuvend si deputet, i ka referuar Kuvendit se ky objekt është monument kulture?
Lulzim Lelçaj: Nuk kemi komente për këtë pyetje, për sa kohë jemi jashtë objektit të shqyrtimit.
Artan Lame: Me çfarë arsyetimi është hequr statusi i monumentit të kulturës nga ministri?
Lulzim Lelçaj: Nuk japim përgjigje për gjëra që nuk janë kushtetuese.
Rama: Kushtetuesja u shemb
Kryesocialisti Rama reagoi dje në adresën e tij në rrjetin social Twitter, menjëherë pas rrëzimit të kërkesës së socialistëve për pezullim të ligjit për shembjen e Piramidës. Kryesocialisti e cilëson këtë vendim si kapje nga pushteti të Gjykatës Kushtetuese. “U shemb edhe Kushtetuesja, dhe u ndërtua maja e piramidës së drejtësisë së kapur!”, shprehet Rama në adresën e tij në Twitter. Përmes një kërkese dërguar që në gusht, menjëherë pas miratimit të ligjit që i hap rrugë shembjes së Piramidës për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar, 33 deputetë socialistë kërkojnë rrëzimin e ligjit si antikushtetues.
Aristir Lumezi











