
Me rastin e promovimit të librit të At Zef Pllumit, i dhuroi Berluskonit dy grafika
Pas veprës së At Zef Pllumit, që do të bëhej manifesti antidiktaturë i forcës politike të drejtuar nga Silvio Berluskoni, vepra e një tjetër shqiptari do të tërhiqte vëmendjen e ish-kryeministrit italian.
Një vepër që do të ngjallte edhe reagime, por për piktorin Avni Delvina arti nuk mund të mos jetë edhe provokim. Pak ditë para promovimit të përkthimit në gjuhën italiane të veprës së At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”, Kavalierit do t’i binte në duar një vepër e veçantë. Në atë grafikë paraqitej si Berluskoni ashtu edhe At Zef Pllumi pas hekurave. Situatat janë tërësisht të ndryshme. Një martir që vendoset përballë një politikani, arsyet e dënimit të të cilit janë tërësisht të ndryshme. Por, të dy i bashkon kundërvënia ndaj komunizmit. Delvina ishte i ndërgjegjshëm që kjo vepër do të ngjallte reagime. “Arti e ka në thelb provokimin”, thotë ai. “Tek njeriu ekzistojnë edhe engjëlli, edhe djalli”. Ditën e promovimit Berluskoni do të merrte një tjetër dhuratë po nga Delvina, ku ai paraqitej në trajtën e një Laokonti. Sigurisht artisti shpreson që këto kontakte të vendosura t’i shërbejnë krijimtarisë dhe karrierës së tij. Dhe duket se është në rrugë të mbarë. Tashmë me ndihmën e Keda Kacelit, përkthyeses së librit të At Zef Pllumit, po përgatit organizimin e dy ekspozitave të mëdha në grafikë, në Romë dhe në Milano. Tema do të jetë ajo e komunizmit dhe e diktaturave.
Artisti
Ëndrra e tij ishte të bëhej arkitekt. Kishte dorë, si do të thuhej në këto raste… Kishte trashëguar dhuntinë e të atit dhe me kaligrafinë që kishte mund të kopjonte pa iu dridhur dora e pa asnjë ndryshim firmën e Enver Hoxhës. Regjimi ia kishte mbyllur dyert e arsimimit Avni Delvinës… Por, duket se në këtë rast vërtetohet ajo thënia se jo çdo e keqe vjen për keq. Teksa punonte në Institutin e Monumenteve nën ndikimin e piktorëve Edi Hila, Mustafa Arapi, Ardian Devolli, Arben Golemi, Niko Dhale, në vitin 1985, nipi i Avni Delvinës (të cilit i ka marrë emrin), një prej firmëtarëve të Pavarësisë në vitin 1912 iu vu pikturës. Ishte 27 vjeç. Ishte një formë çlirimi, që ai nuk e dinte se do t’i kthehej në një mënyrë jete. Sot Avni Delvina jeton në Itali. I ikuri në kohën e ambasadave, që sistemi komunist i kishte mohuar të drejtën e studimit, në Itali do të hapte menjëherë ekspozita. E para ishte në vitin 1992 në Galleria d’Arte del Caminetto në Bolonjë, ku drejtori i enciklopedisë italiane të artit, Paolo Zauli, do të vlerësonte “pulsimin frenetik, gati eksploziv, temperamentin vullkanik dhe të pafrenueshëm”. Ishte ai që do ta këshillonte të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por tashmë Delvina e kishte vendosur, do të qëndronte në Itali, ku ekspozitat zunë njëra-tjetrën.
Kalimi në grafikë
Erdhi një moment kur Avni Delvina vendosi të bënte kthesën drejt grafikës. “S’më ka ngopur piktura, peizazhi, e bukura si e tillë. Më dukej sikur po përsëritja veten. Kërkoja një mënyrë për të thënë më shumë, për të dhënë të tjera mesazhe, për të shfaqur të mirat dhe të metat e mia dhe të të tjerëve. Më duhej diçka më e drejtpërdrejtë”, thotë Delvina. Këto hapësira i gjeti te grafika, por jo vetëm. Rrjetet sociale, sidomos Facebook-u, i erdhi në ndihmë. Punonte dhe menjëherë i publikonte punët e tij, të shoqëruara me tekste të shkurtra, në formë esesh. Grafika me penë, me të cilën kishte fituar edhe çmime i qasej më shumë kërkesave të tij, por ajo shkonte në kufijtë e karikaturës dhe ai kërkonte diçka më tepër se kaq. Punimet marrin trajtat e kolazheve, ku ndërthuret grafika me fotografinë, fotoshopin… Gjithnjë shumë ironi, sarkazëm… Luan shumë me simbolet. Provokon me nudon… Një uri për të punuar. Vetëm brenda katër viteve ka realizuar 1600 grafika. “Punët e mia i drejtohen më së shumti vendit tim, problematikave që na shqetësojnë çdo ditë. Përpiqem të analizoj shoqërinë në 360 gradë. Nuk merrem me individin, pasi faji është kolektiv, asnjëherë individual. Më pëlqen të vë gishtin në plagë, të ndalem te probleme që i trashëgojmë nga e kaluara. Një ndër to është babëzia, rendja drejt parasë, që i ka shndërruar njerëzit, ua ka zbrazur shpirtëroren.. Megalomania është një tjetër ves që kemi ne shqiptarët. Duhet të jemi më të thjeshtë…”, tregon artisti. Të jetuarit në Itali ka ndikuar jo pak në krijimtarinë e tij. Arkitektura, sheshet, gëzimi i jetës, humori që gjen tek italianët… të gjitha këto ia vë përballë vendit të origjinës. Agresiviteti në ndërtim dhe ndjenja e vetëshkatërrimit te shqiptarët, zë jo pak vend në krijimtarinë e tij. “Ne që jemi larg duket sikur jemi më shumë kritikë seç duhet me vendin tonë. Por ndoshta këtë e bëjmë nga nostalgjia, sepse na mungon, sepse duam të jetë më mirë…”















